Zyrtarët e spitalit ‘Sheikh Zayed’ i reagojnë Komunës së Vushtrrisë

2019-01-10 në ora 18:49

Përmes një postimi në rrjetet sociale, zyrtarët e spitalit rajonal ‘Sheikh Zayed’ në Vushtrri, kanë reaguar ndaj deklarateve të kreu të shëndetësisë në komunën e tyre, Sylejman Meholli.

Ata kanë reaguar në deklaratat e Mehollit, i cili i dha vlerësim jo të mirë punës së spitalit, raporton Gazeta Shneta.

Reagimi i plotë i spitalit:

“Deklarata jo kompetente e drejtorit komunal në Vushtrri ndaj Spitalit “Sheikh Zayed”

Spitali “Sheikh Zayed” shpreh pakënaqësinë e thellë për deklaratat e pa matura të dhëna në një televizionin T7, nga drejtori për Shëndetësi i Komunës së Vushtrrisë, z. Sylejman Meholli. Ai në mënyrë flagrante ka shkelur Ligjin për Shëndetësi, Ligjin për Vet-qeverisje lokale dhe aktet komunale duke tejkaluar kompetencat e tij në gjykimin dhe vlerësimin e punës së Spitalit.

KPSH dhe përgjegjësit e saj, janë plotësisht jo kompetent të gjykojnë punën e Spitalit, e aq më shumë të flasin në emër të një institucioni tjetër përderisa ai vet është përgjegjës për një sektor institucional në komunë.

Drejtori Meholli, përveç tejkalimit të kompetencave dhe akuzave që ngriti kundër Spitalit, ai ka fyer profesionistët shëndetësor të Spitalit, të cilët i ka cilësuar si ardhacak nga regjione të tjera të Kosovës. Nuk duhet shumë informacion të dihet se për punësim në Kosovë si kusht i përgjithshëm është shtetësia, e jo vendbanimi i caktuar brenda Kosovës. Në të njëjtën kohë, ne si Spital dhe qytetarët e komunës të cilën ju e drejtoni janë përfitues të shërbimeve që i ofrojnë specialistët e këtij Spitali e që vijnë edhe nga regjione të tjera të Kosovës.

Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri falë mbështetjes së fuqishme që ka nga Ministri i Shëndetësisë z. Uran Ismajli dhe drejtorit të SHSKUK-së dr. Basri Sejdiu, tashmë ka funksionale Qendrën emergjente, repartin e radiologjisë, urologjisë dhe rritjen e stafit infermierik dhe specialistik, me mbi 45 të punësuar vetëm brenda vitit 2018.

Po ashtu ka funksionalizuar edhe hapësirën e re prej 400 m2, donacion i siguruar, nga “Gjysmëhena e kuqe” e EBA, ecila shërben për të plotësuar nevojat e kirurgjisë dhe ka krijuar mundësinë për funksionalizimin e urologjisë.

Po ashtu për herë të parë Spitalit “Sheikh Zayed” ju ka dhanë mundësia për të përpiluar listën e specializimeve të planifikuara për periudhën e ardhme pesë vjeçare. Për të cilën Spitali ka hartuar nevojat e tij.

Madje si rezultat i kësaj mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë ka përfituar edhe komuna e cila para pak më shumë së një viti është furnizuar me autoambulancë nga MSH.

Po ashtu Spitali konsideron se drejtori i DSHPS-së, ka shpifur dhe ka shtrembëruar realitetin e bashkëpunimit dhe ndihmës që Spitali i jep KPSH-së, duke e përmendur sa herë furnizimin me një autoambulancë për disa ditë, për dobi të Spitalit, ndërsa duke fshehur gjithë ndihmën që Spitali i ofron KPSH-së.

Me këtë rast ju njoftoj se Spitali “Sheikh Zayed” deri më tani, ka furnizuar KPSH-në me;

1. Oksigjen për QKMF-në dhe për personat në faza terminale të sëmundjes.
2. Trafo në vlerë prej 15.000 euro i është lënë në dispozicion të QKMF-së.
3. Furnizimin me katër monitor për urgjencën e QKMF-së.
4. Furnizimin me 15 shtretër dhe inventar tjetër për nevoja të QKMF-së.
5. Kemi bërë asgjësimin e mbetjeve mjekësore dhe barnave të skaduar në impiantin e Spitalit, ku vetëm brenda vitit 2018, KPSH ka asgjësuar 1414.93 kg materiale në impiantin e Spitalit, pa pagesë.

Spitali “Sheikh Zayed” konsideron se veprimet e tilla të pamatura cenojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në dobi të qytetarëve dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.” /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *