VV akuzon kompanitë e afërta me PDK-në për vjedhje të 20 milionë eurove të SISH-it

2019-06-14 në ora 15:46

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka adresuar shqetësimin në lidhje me fondet e ndara për Sistemin Informativ Shëndetësor i njohur si SISH, duke akuzuar kompanitë e afërta me PDK-në për korrupsion dhe duke paralajmëruar, sipas tyre, një tjetër skandal të radhës në lidhje me këtë çështje.

Jusuf Ulaj dhe Mirsad Shkretaj nga Komiteti për shëndetësi i Lëvizjes Vetëvendosje, fajësuan Ymer Shahinin, kunatin e zëvendëskryeministrit aktual të Kosovës, Enver Hoxhaj, për përfitim të jashtëligjshëm të 20 milionë eurove si fonde të dedikuara për SISH.

Ulaj deklaroi se Shahini është arrestuar të martën në Fushë Kosovë me kërkesë të FBI-së pasi ishte në mesin e shtatë personave të kërkuar për përftim të jashtëligjshëm dhe mashtrim të 20 milionë dollarëve në distriktin jugor të Nju Jorkut.

Ai nënvizoi se moszbatimi i projektit të Sistemit Informativ Shëndetësor po e lë Kosovën pa sigurime shëndetësore dhe se nuk mund të ndërmerret asnjë reformë shëndetësore e kjo gjendje sipas tyre nuk e ndal as korrupsionin.

“Ne përsërisim në vazhdimësi si Lëvizje Vetëvendosje se moszbatimi i projektit të sistemit informativ shëndetësor dhe vjedhja e parave të destinuara për të po e lë Kosovën pa sigurime shëndetësore gjë që i lë spitalet e klinikat pa investime dhe pacientët pa përkrahje dhe në mëshirë të fatit. Pa sistem informativ nuk ka reforma në shëndetësi dhe këtë e kemi përsëritur në vazhdimësi. Nuk ka të dhëna statistikore për pacientët dhe sëmundjet e rrjedhimisht nuk ka hulumtime shkencore. Nuk ka menaxhim të duhur dhe koordinimi të tri sistemeve, nuk ka zbatim të protokolleve, nuk ka menaxhim të barnave dhe materialit harxhues që i shohim çdo ditë. Nuk ka ndalje të hajnisë dhe nuk ka ndalje të korrupsionit”, deklaroi Ulaj.

Ai tha se Vetëvendosje nuk do të ndalet së kërkuari përgjegjësi se ku kanë shkuar gjithë ato mjete dhe gjithë ai buxhet që është ndarë nga Republika e Kosovës dhe qeveria e Luksemburgut, ndërsa fajësoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë transparence në lidhje me këtë projekt.

Ndërsa, Mirsad Shkretaj tha se Lëvizja e kishte paralajmëruar para tri vitesh që realizimi i këtij projekti në këtë formë ishte vetëm keqpërdorim dhe po bëhej për përfitim të kompanive të lidhura me pushtetin.

Ai tha se hetimi për këto fonde dhe raporti i auditorit që erdhi pas kërkesës së Kuvendit konstatoi keqpërdorimin, mosfunksionalizimin dhe shkeljet e afateve kohore në lidhje me këtë projekt. Ai fajësoi edhe Prokurorinë që nuk është marrë me këtë çështje edhe pse është dorëzuar një lëndë.

Shkretaj tha se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka marrë kredi dhe ka hapur një tjetër tender për një sistem që sipas tij ka vetëm emër tjetër dhe është në shërbim të fondit për sigurime shëndetësore.

“Aktualisht po të shikoni ne uebsajtin e Ministrisë së Shëndetësisë e kemi një tender të hapur 2 milionësh që flet për një sistem informativ, tashmë nuk quhet SISH po SIF që do të jetë në shërbim të fondit për sigurime shëndetësore dhe e reja që mund të themi në këtë rast është sepse tashmë këto fonde, këto mjete janë të marra kredi që do të thotë se qytetarët e Kosovës pas keqmenaxhimit 20 milionësh për Sistemin Informativ Shëndetësor, si parakusht për realizimin e sigurimeve shëndetësore, do paguajnë edhe kredi tashmë me fytyra të ndryshme dhe me skema të njëjta. Kështu që në këtë rast i vetmi paralajmërim është pozitiv është që ata nuk e kanë gjatë, përndryshe keqpërdorimi tashmë është i faktuar dhe i hapur në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Shkretaj./KP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *