Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka folur për përvojën e saj gjatë lindjes së vajzave binjake në mars të vitit 2014.
Osmani është nënë e vajzave binjake të cilat mbajnë emrat Dua dhe Anda. Kur vogëlushet kishin ardhur në jetë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, nëna e tyre thotë se kishte mungesë të barnave, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë vizitës në Klinikën e Neonatologjisë ditën e sotme, Osmani është pyetur nga gazeta për përvojën e saj personale në këtë klinikë.
“Kushtet me kalimin e viteve po bëhen më të mira, por mungesat që gati para 6 viteve kur unë kam lind nuk kanë qenë aq të përshtatshme, edhe sot ka mungesa të shumta por megjithatë ka investime dhe përpjekje që këto pengesa të tejkalohen”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka falënderuar stafin mjekësor që ishin përkujdesur për të.
“Më duhet ta potencoj punën e jashtëzakonshme të stafit mjekësor në këtë klinikë. Për ne si nëna është periudha më e lumtur por edhe më stresuese në jetën tonë duke u përballur me situata sidomos kur lind për herë të parë gjë që do të ishte shumë vështirë e përballueshme sikur të mos kishim staf mjekësor me përvojë të cilët gjenden aty për të na ndihmuar”.
“Përvoja ime ka qenë e mirë natyrisht por ne duhet të punojmë si politikan dhe stafi që e kanë për detyrë të bashkëpunojnë me ne, që t’i përmirësojmë kushtet e tyre”, ka deklaruar Vjosa Osmani. /Gazeta Shneta/