Vjehrri nuk e pranon nusen nga Dukagjini pa lindur djalë

2017-10-24 në ora 11:07

Mungesa e një djali në familjen e saj të vogël mesa duket është shndërruar në dramë jete për një 28-vjeçare, e cila shprehet se vjehrri i saj nuk e pranon në shtëpi derisa të lindë djalë.

Gruaja e re nga Dukagjini shprehet se po vuan një mentalitet patriarkal që po e ndan nga familja dhe e vret pamasë shpirtërisht.

Kjo është historia tepër e dhimbshme e rrëfyer për “ShkodraNews”.

“Edhe unë jam nga Dukagjini, por bëj pjesë tek njerëzit që fëmija është bekim i Zotit e nuk ka rëndësi seksi. Ama nuk ka të njëjtin mendim vjehrri im.

Kam dy vajza dhe jam 28-vjeçe. Jetoj me burrin në Shkodër, vjehrri jeton në vendlindje bashkë me kunatin e vogël dhe dy djemtë e tij. Pas lindjes së vajzës së parë u ndje keq sepse donte djalë, pasi burri im është fëmija i madh i familjes.

Por kur pas dy vitesh linda vajzën e dytë, vjehrri nuk më erdhi as në maternitet. Akoma se ka parë mbesën e vogël, e nuk më pranon në shtëpinë e tij. E di që është e tmerrshme, burri është prekur shumë, por thotë që nuk po mbajmë dot shtyllën e shtëpisë, e deri pa çuar djalin në shtëpi le të rrimë më mirë në shtëpinë tonë.

Vajza e madhe e do shumë gjyshin e saj edhe pse e ka parë rradhë. Por ai rri vetëm me nipat, djemtë e kunatit. Vjehrra ka vdekur shumë vite më parë dhe ai gjithmonë dhe më i sertë është bërë.

Mua më vjen keq ta ndaj burrin kështu na babai i tij, e vajzat nga gjyshi se është turp dhe kush na dëgjon. Tani flas kështu në fakt, se ka raste kur fajësoj dhe veten se përse s’po ja jap një djalë kësaj familjeje e të biem të gjithë rehat e familja të bashkohet. Vjehrri mendon se është faji im që “s’kam në gen me ba djem”. Jam kaq e stresuar sa kam frikë të nis një shtatzani të tretë. Sepse pas kësaj e kam të ndaluar të lind më.

Nëse është vajzë i bie të ndahem përjetë me vjehrrin. Na ka zënë halli, sepse në fund të fundit ai është babai i burrit tim. Burri më thotë të mos mërzitem se do i kalojë, por ai ka hapur fjalën në tërë fisin që pa djalë nuk shkel këmba ime atje. Nuk di si të veproj” shkruan ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *