Një veturë me targa zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, pothuajse e ka bllokuar hyrjen në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Siç shihet në një denoncim me fotografi nga një lexues, vetura e tipit Volkswagen Touareg, është parkuar në hyrje të klinikës, duke ngushtuar hapësirën për pacientët, shkruan Gazeta Shneta.
Vetura sipas targave dhe Udhëzimit Administrativ 14/2009 të MPB-së, i takon Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas lexuesit, kjo nuk është hera e parë që kjo veturë parkohet në të njëjtin vend.
Në hapësirat e QKUK-së ka mjaft vendparkime për vetura. Madje një parking të vetin e ka edhe klinika e Kirurgjisë, por që si duket zyrtarët e shëndetësisë kanë përtuar të ecin disa metra tutje.
Gazeta Shneta ka raportuar edhe më herët për kaosin e veturave në QKUK.
Hapësirat dhe rrugët brenda Qendrës Klinike Universitare shpeshherë mbingarkohen edhe nga veturat e familjarëve të pacientëve. /Gazeta Shneta/