Me urdhër të Gjykates, N.N do të paguajë vetëm 250 euro gjobë për shuplakat e dhëna dhe kapjen për flokësh ndaj bashkëshortes së tij raporton Kallxo.com transmeton Gazeta Shneta
Gjykata e kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për t’i shqiptuar urdhër ndëshkimor në shumë prej 250 eurosh për sulm ndaj bashkëshortes.
Sipas prokurorisë, tri vjet më parë, më 8 dhjetor 2014, në ora 19:00, në banesën e tij në Prishtinë, i pandehuri, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, me dashje ka përdorur forcë fizike ndaj saj.
I njëjti pretendohet të ketë kapur bashkëshorten e tij për flokësh e më pas ta ketë goditur atë me shuplaka, me ç‘ rast tek e dëmtuara është shkaktuar ndjenja e ankthit, frikës dhe pasigurisë.
E për gjithë këtë ngjarje, Gjykata ka vendosur që me urdhër ndëshkimor ta dënojë të pandehurin vetëm me gjobë prej 250 euro.
Kallxo.com ka kontaktuar me viktimën e cila ka treguar edhe për pasojat fizike të cilat i janë shkaktuar atë ditë. Edhe pse kjo ngjarje ka ndodhur vite më parë, viktima e kujton secilin detaj nga ajo ditë e dhjetorit të 2014- ës.
“Qysh ma ka hi faqen zi e kom pas, krejt flokët mi patë hekë t`u mi ngreh”, kujton viktima.
Fatkeqësisht, sulmi i asaj dite nuk qe i fundit për të. Viktima pretendon se dhuna fizike e psiqike ka vazhduar edhe më pas, për çka edhe aktualisht janë në proces gjyqësor.
Vendimi për dënimin me gjobë është marrë në nëntor të këtij viti, derisa rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2014, pra kjo përveç se tregon se Gjykatës i janë dashur afër 3 vite që të marrë vendimin, vërehet qartë se rastet e kësaj natyre nuk janë prioritet
Në aktgjykimin të cilin e posedon Kallxo.com, theksohet se nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mundet ta paguaj gjobën, gjykata mund t’ia zëvendësoj dënimin me gjobë në dënim me burg, duke ia llogaritur një ditë burgu në vlerë prej 20 euro të gjobës, që i bie afër 13 ditë.
Edhe pse pagesa në shumë prej 250 euro tingëllon më mirë se burgu, me sa duket i dënuari do të përfundojë brenda qelisë së burgut me arsyetimin e mungesës së mjeteve financiare.
Kjo pasi që ai tash e sa muaj nuk ia ka paguar ish- bashkëshortes së tij ushqimin e fëmijës në shumë prej 150 euro.
Më vonë, më 27 korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendimin që babai i fëmijës të paguaj 150 euro për muaj për ushqimin e tij, gjë të cilën ky fundit nuk e ka bërë.
Kallxo.com kishte kontaktuar me të dënuarin dy muaj më parë dhe i njëjti mos- pagesën e kësaj shume e kishte arsyetuar se “s’ka pare”.
Aktualisht janë bërë 5 muaj që nga koha kur N.N. duhej t`i paguante gjithsej 1250 euro për ushqimin e djalit të tyre, tani më me vendim të plotfuqishëm.
Pavarësisht se vendimi i marrë nga Gjykata është konform dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, një dënim i tillë është mjaft i ulët dhe jo parandalues, siç ka ndodhur në rastin konkret.
Kundër aktgjykimit për dënimin me gjobë, i pandehuri ka të drejtë ankese brenda afatit ligjor. / Gazeta Shneta