Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka vazhduar para fushatën e tij elektrorale në ambientet e Qendrës Klinike Universitare.
Veseli është takuar edhe me disa mjekë të rinj që janë pranuar rishtas në QKUK, të cilët i ka shfrytëzuar për reklamë. Në takimin me këta mjekë, ai ka thënë se lufta ndaj korrupsionit do ta mbaj rininë për të punuar në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
“Duke investuar miliona euro që shpëtohen nga korrupsioni në krijimin e kushteve më të mira për mjekë, ne po u krijojmë atyre mundësi më të mira dhe po u japim arsye për të qëndruar”, ka shkruar Veseli në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Për ironi të kësaj deklarate, Veseli ka postuar edhe një fotografi duke shtrënguar duart e duke buzëqeshur bashkë me anesteziologun Kemajl Gashi. Ky i fundit ka qenë i përfshirë në skandalin e shit-blerjes së notave ku ishte akuzuar për ndërmjetësim dhe dënuar me burg nga Gjykata Themelore. Më pas i njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në vitin 2017.
Së fundmi ai është një nga 11-të anesteziologët e pranuar në punë në QKUK. /Gazeta Shneta/