Në rrethana që ende nuk janë sqaruar ka ndërruar jetë Dëshira Lleshdedaj në Klinikën Infektive të QKUK-së. 35 vjeçarja është pranuar në Klinikën Infektive pasi ankohej se kishte dhimbje barku, derisa ajo këtë gjendje nuk e konsideronte serioze. Por, vetëm një ditë pas kësaj, ajo ndërroj jetë. Si fillim ajo ishte trajtuar dhe operuar në spitalin rajonal të Gjakovës për t’u transferuar pastaj në QKUK.
Babai i vajzës tregon momentin para operacionit të vajzës së tij: …e kanë marrë mandej me e çu në operacion. Për çka po bahet operimi, i kam pyet. Më kanë thanë nuk e dimë, jemi në dyshim të ujit, gjakderdhjes dhe mëlçisë. E kanë futë në sallë të operacionit në 13:30 deri në 14:00. E kam pyet mjekun kryesor se cila është gjendja dhe çka ka mund të ndodhë”, shpjegon babai.
Ajo kishte dy fëmijë derisa dyert e shtëpisë të së ndjerës në fshatin Bec të komunës së Gjakovës janë hapur për ngushëllime. Për këtë ngjarje babai i vajzës akuzon mjekët për mostrajtim të duhur të pacientes derisa këto akuza i ka mohuar kirurgu, Sabaudin Bytyqi.
“Pacientja në fjalë, fillimisht është pranuar në repartin e Infektives. Ka fillua me u trajtu si bark qitje, vjellje, çrregullim gastrointestinal. Po megjithëse i janë keqësuar parametrat vital, asaj i bie tensioni dhe disa pengesa tjera, atëherë është konstatuar nga internisti se pacientja duhet të kalojë në repartin internistik për reanimim.”, shpjegon doktori. Ai gjithashtu sqaron se gjatë operacionit, mjekët kanë konstatuar se Dëshira, 35-vjecare, ishte prekur nga Gripi i Derrit, dhe se nuk kishte simptoma të tjera të ndonjë sëmundje tjetër. Doktori thotë se edhe babait të vajzës ia ka thënë fjalët e njëjta.
Por familja Lulashi nga Gjakova thonë se vajza e tyre nuk ka vdekur nga gripi i derrit, ata thonë se mjekët në Gjakovë i thanë se operacioni shkoi mirë dhe se vajza do të kthjellet nga anestezioni pas gjysmë ore. Babai tregon se vajzës i ka ardhur pak vetëdija pas operacionit. Ajo, ka qenë e ftohtë sikur me pas qëndru 10 ditë në frigorifer, e ngrirë. Kam shku te mjeku pastaj. I kam thanë nuk është mirë, po duket sikur e vdekur”, tregon tutje prindi i Dëshirës së ndjerë.
Me këtë rast tani po merren organet e hetuesisë, kjo pasi familja e vajzës e ka paraqitur në polici ashtu siç ka hapur rast edhe mjeku për shkak të kërcënimeve që ka marrë nga babai i vajzës, çka për këto ky i fundit nuk i mohon.
Dëshira 35-vjecare, ka ndërruar jetë më datë 19 mars në Klinikën Infektive të QKUK’së. Nga kjo Klinikë nuk kanë pranuar që të japin informata rreth vdekjes dhe trajtimit të saj, duke sqaruar se me rastin po merre prokuroria e Shtetit.
Në mbrojtje të mjekëve nga Gjakova, kanë reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila e ka konsideruar kanosjen si pjesë e një fenomeni kriminal që po ndodh në vendin tonë ndaj mjekëve./Express/