Vazhdojnë gabimet me emrat e Klinikave, QKUK ia huqi edhe Mjekësisë Fizikale dhe Ortopedisë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vazhduar me vendosjen e sinjalizimit dhe tabelave informuese për pacientët.
Së fundmi në QKUK janë vendosur disa tabela informuese në hyrje të klinikave, por emrat e tyre janë shkruar gabim. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim dhe Mjekësi Sportive, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo klinikë ku punojnë profesorë e specialistë të mjekësisë fizikale, tani sipas tabelës është emërtuar si Klinikë e Fiziatrisë me Rehabilitim Fizikal. Emri i është shkruar gabim edhe Ortopedisë e cila duhet të shkruhet Klinika e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore.
Një gabim i tillë ka ndodhur edhe me Klinikën e Neonatologjisë për të cilën Gazeta ka raportuar ditë më parë. Këto gabime ende nuk janë përmirësuar, ndërsa QKUK nuk ka kthyer përgjigje nëse do të ndërmarr masa për korrigjimin e tabelave. /Gazeta Shneta/