Kjo është Fatima, vajza 14-vjeçare që punon tërë ditën duke pastruar xhamat e veturave nëpër rrugët e Prishtinës, për t’ia siguruar familjes bukën.
Fatmia thotë se çdo cent që e fiton i dërgon në shtëpi ku jeton me familjen tetë anëtarëshe.
Vajza e cila i përket komunitetit rom e ka lënë shkollën në klasën e pestë për shkak të kushteve të vështira të jetesës.
“Unë nuk jam fëmijë. I kam 14-vjet. Punoj edhe i fitoj deri në 10 euro në ditë. Puna që unë bëj është t’i pastroj xhamat e automjeteve. Gjitha të hollat që i fitoj i dërgoj në shtëpi. Jemi gjashtë fëmijë. Vetëm unë dhe babai punojmë. Babai mbledh shishe xhami edhe kanaçe të cilat i shet. Me paratë e fituara jetojmë”, thotë Fatima.
Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, konsiderojnë se gjendja aktuale e respektimit të drejtave të fëmijëve është nën nivelin e dëshiruar.
Në Koalicionin e Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thonë se janë të dhënat e fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat tregojnë për një gjendje jo të kënaqshme të të drejtave të fëmijëve në përgjithësi në Kosovë.
Sipas të dhënave që posedojnë, mbi 10 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër 7 për qind punojnë në kushte të rrezikshme.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në evropaelire.org.