Sipas një studimi të kryer nga spitali për fëmijë MassGeneral dhe nga Universiteti i Mjekësisë “Johns Hopkins” në SHBA, trajtimi i përditshëm me sulforafan (molekulë aktive që gjendet te brokoli, lulelakra dhe lakra) mund të përmirësojë disa nga simptomat e çrregullimeve të spektrit autik.
“Përgjatë viteve ka pasur disa raportime anekdotike se fëmijët me autizëm mund të kenë përmirësime në ndërveprimet sociale dhe nganjëherë në aftësinë e të folurit, kur ata kanë temperaturë. Ne studiuam atë se çfarë mund të qëndrojë prapa nivelit qelizor dhe hodhëm hipotezën se çfarë do të ndodhte nga aktivizimi i temperaturës, si përgjigje ndaj ‘stresit’ qelizor, në të cilin mekanizmat qelizorë të mbrojtjes që zakonisht mbahen rezervë, aktivizohen përmes aktivizimit të transkriptimit të gjeneve”, shpjegon dr. Andrew Zimmerman, bashkautori dhe korrespondenti i këtij raporti.
Sipas autorit kryesor të studimit, dr. Kanwaljit Singh, rezultatet mesatare për secilin nga vlerësimet ishin dukshëm më të mira për 26 pjesëmarrësit që kishin marrë sulforafan, në krahasim me ata 14 që morën placebo. Edhe në vizitën pas katër javësh, disa kujdestarë raportuan një përmirësim të dukshëm të sjelljes. Pjesëmarrësit që konsumuan sulforafan patën një përmirësim mjaft të dukshëm për sa i përket nervozizmit, letargjisë, lëvizjeve të përsëritura, hiperaktivitetit, komunikimit, motivimit dhe imitimit të modeleve. Në fund, pjesa më e madhe, por jo të gjitha përmirësimet, u zhdukën në javën e 22 të rivlerësimit (kur pjesëmarrësit nuk morën trajtim me sulforafan). “Rezultatet për ne nuk ishin surprizuese, që nga momenti që përmirësimet ishin tepër të dukshme. Ky ishte një studim i mirëfilltë shkencor, i cili do të përsëritet dhe mbi të gjitha do t’u shërbejë personave që vuajnë nga autizmi”, tha dr. Zimmerman.
Ndaj, duke u bazuar te ky studim amerikan, filloni t’u jepni fëmijëve tuaj ose të afërmve autikë, më shumë brokoli, lulelakër ose lakër./Kidstime/