Urologët kosovar kanë përmirësuar një intervenim tek një paciente i cili fillimisht ishte trajtuar në një klinikë private në Maqedoninë Veriore.
Një grua nga Kosova ka kryer një intervenim urologjik në një klinikë private në Shkup. Asaj i është vendosur një stent ureteral, por gjatë këtij intervenimi mjeku kishte shpuar kanalin urinar, gjë të cilën nuk e kishte vërejtur, shkruan Gazeta Shneta.
Por këtë gabim të mjekut nga Shkupi e kanë përmirësuar urologët e Kosovës. Dr. Liridon Selmani ka treguar për këtë intervenim nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook. Ai thotë se perforimi i kanalit urinar mund t’i ndodh çdo urologu, por nuk do të duhej të kalonte pa u vërejtur.
“Pas një jave ky problem identifikohet në Kosovë, guri i saj thyhet dhe vendoset një stent i ri në vendin e duhur duke shfrytëzuar metodat më bashkëkohore të trajtimit”, ka shkruar Selmani.
Ekipi i mjekëve është përbërë nga urologu i njohur Dr. Fahredin Veselaj, Dr. Liridon Selmani, Dr. Shpresa Vuniqi dhe instrumentarja Liridona Kastrati.
Postimi i plotë i Dr. Selmanit:
Jo rrallë herë ndodh që pacientët kosovar të zhgënjyer nga mjekësia jonë, por edhe të manipuluar nga lajmet e rrejshme dalin jashtë shtetit për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore.
Ndodh po aq shpesh që ne si mjek duhet të merremi me komplikimet e këtyre trajtimeve jashtë vendit (por në këto raste në ‘terr medial’) dhe keto ri-trajtime të suksesshme pastaj askund nuk permenden perveq rretheve të vet neve mjekëve.
Rasti i postuar paraqet një zonjë 39 vjecare e cila shkon në një klinikë private në Shkup ku i vendoset një stent ureteral i cili perforon (shpon) kanalin urinar dhe as që vërehet nga urologu atje (perforimi mund t’i ndodh cdo urologu – por gjendja e shkaktuar si pasojë e këtij dëmi nuk duhet të kalojë pa u vërejtur).
Pas një jave ky problem identifikohet në Kosovë, guri i saj thyhet dhe vendoset një stent i ri në vendin e duhur duke shfrytëzuar metodat më bashkëkohore të trajtimit (shih videot).
Raste si ky janë me qindra, vetëm se nuk postohen.
PS lus që ky postim të mos shërbejë si reklamë, por si mjet informimi për qytetarët të cilët janë të keqinformuar lidhur me cilësinë e shërbimeve në shëndetësinë tonë.