Së fundi, u mësua se mëngjesi i preferuar i aktores, nënës së re, Meghan Markle është ushqimi i preferuar i Instagramit. Njihuni me tasin açaí.
Në një intervistë me Eye Swoon, Markle tha se mëngjesi i saj i preferuar konsiston në: “Një tas açaí, një pije detoksifikuese ose një lëng të freskët jeshil.” Ajo shtoi se nëse është në hotel dhe s’mund ta përgatisë vetë mëngjesin, porosit tost me avokado dhe vezë.
Boronicat açaí janë kokrra të vogla të errëta të cilat rriten në Amazonë dhe janë cilësuar si superushqime. Edhe pse atributet që i janë veshur këtij fruti janë të tepruara, popullariteti i boronicave açaí vazhdon të rritet, sidomos në Instagram.
Tasat në fjalë mund të përgatiten duke grirë në blender boronica açaí të ngrira ose duke shtuar pluhur boronicash açaí në frutat tuaja të ngrira.
Ja si të përgatisni në shtëpi tasin me boronica açaí:
Fusni në blender një qese me boronica açaí të ngrira, një gjysmë banane, thuajse 100 ml qumësht bajameje dhe një grusht frutash pylli të ngrira dhe grijini
Përbërja duhet të jetë e trashë kështu që shtojeni qumështin e bajames me ngadalë.
Hidheni në tas dhe shërbejeni me arrë kokosi të grirë, manaferra të freskëta, banane të grirë, pak mjaltë manuka dhe hajeni menjëherë.