Ditën e djeshme policia e Sarandës ka vënë në pranga 29-vjeçarin Enea Qendro i cili akuzohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nënën e tij.
“Kam frikë nga im bir, ai do të më vrasë. Është hera e dytë që thyen urdhrin e mbrojtjes që ka lëshuar gjykata ndaj meje, ndërsa më ka rrahur barbarisht.
Më kërkon para që të blejë drogë, pasi ka disa vite që konsumon heroinë. Ai nuk ka lënë orendi shtëpiake pa shitur. Nuk di se çfarë të bëj me të. Më ndihmoni!”.
Kështu ka deklaruar dje në polici Eleni Qendro, banuese në lagjen nr.3 të qytetit të Sarandës.
E moshuara ka pohuar se ajo është dhunuar sistematikisht nga djali, por fillimisht ka pasur turp që ta denonconte atë.
Menjëherë pas kallëzimit, policia e qytetit bregdetar ka arrestuar 29-vjeçarin Enea Qendro, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, duke thyer edhe urdhrin e mbrojtës që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë kishte vendosur për Eleni Qendron, shkruan GSh.
Mësohet se i riu akuzohet për veprat penale: “Dhuna në Familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ndërkohë, burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se 29-vjeçari është person me precedent penal.
Sipas bluve, më 19 korrik të vitit që shkoi, Enea Qendro u dënua me 1 vit burg se dhunoi nënën dhe theu urdhrin e mbrojtjes. Ndërsa, më 16.02.2015, ai është dënuar me 140.000 lekë të reja gjobë për plagosjen me thikë të shoku të tij, të cilit më parë i kishte djegur motorin. /albeu.com/