Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa thotë se në janar të këtij viti është ngarkuar nga ministri i po këtij dikasteri, që të udhëheqë edhe grupin do të evidojë numrin e saktë të specializantëve, të cilët nuk mbështeten financiarisht me paga nga MSH, përfshirë kohën e fillimit dhe përfundimit të specializimeve.
“Raporti ka nxjerrë se janë 545 mjekë në specializme që nuk janë paraparë fare. Sipas llogarisë kostoja që do të mbulonte këto paga për vitin 2018 është 2,941,060 euro, të cilat do të siguroheshin nga subvencionet”, thuhet në raportin e tij.
Ky raport u nxorr pas një hulumtimi të bërë së bashku me një grup punues.
“… jam ngarkuar që të hulumtoj dhe të gjej ligjshmërinë e pagesës së kujdestarive për mjekët, sepse në këtë drejtim konsiderohet padrejtësi, pasi që rritja e pagave që ka ndodhur nuk është paraparë edhe në rritjen për kujdestarinë, e që është në kundërshtim me ligjin”, thuhet në raportin e tij të cilin e ka siguruar KALLXO.com.
Ai thotë se që nga emërimi, fokusi i tij ka qenë ‘ndihma në zbatimin e ligjshmërisë dhe funksionimit normal të institucioneve shëndetësore’.
Tutje zëvendësi i Uran Ismajlit, thotë se edhe zëvendësimi i ministrit në shumë takime në mbledhjet e Qeverisë dhe pjesëmarrja në shumë prezantime në fushën e shëndetësisë, e kanë pajisur me një përvojë të mirë, që siç thotë, do ta shfrytëzoj në realizimin e objektivave dhe detyrave që i ngarkohen.
Raportin e plotë të zv.ministrit mund ta lexoni KËTU.