Një ish-kryeministër dhe dy kryetarët komunash po kërkojnë shërimin nëpër spitale private në Gjermani, ndërsa qytetarët dergjen nëpër spitalet publike të Kosovës
Ish-kryeministri Isa Mustafa, ish-kryetari i komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë udhëtuar për në Gjermani për të kërkuar shërim.
Për Ahmetin ende nuk dihet se nga çfarë sëmundje vuan, ndërsa për Lushtakun është raportuar se ka probleme me zemrën, kurse Mustafa është duke qëndruar në Gjermani që nga muaji janar i këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Ish-kryeministri është duke u trajtuar me terapi fizikale në një qendër rehabilitimi në qytetin Pforzheim të Gjermanisë, pasi u prek nga sindroma një sindromë që çrregullon sistemin imunitar dhe sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.
Udhëtimi për shërim në Gjermani nuk duket të jetë problem për politikanët. Ata janë të pajisur me viza, nuk kanë nevojë të kërkojnë para nga qytetarët dhe në disa raste janë ndihmuar edhe nga Qeveria.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës përballen me vështirësi të shumta. Përveç që nuk gjejnë shërim në institucionet publike shëndetësore të vendit, në shumë raste edhe nuk trajtohen në mënyrë humane nga personeli shëndetësorë.
Qytetarët shpeshherë kanë probleme për t’u pajisur me viza, ndërsa pothuajse nuk kalon javë që nuk lajmërohet ndonjë pacientë i cili ka nevojë për dhjetëra apo qindra mijëra euro për shërim jashtë vendit.
Gjendja e rëndë e sistemit të shëndetësisë në Kosovës është si pasojë e keqqeverisjes nga politikanët, korrupsionit dhe skandaleve të shumta ndër vite. /Gazeta Shneta/