Numri i pacientëve të prekur nga sëmundja e fruthit, ka shënuar rënie gjatë ditës së djeshme.
Drejtori i Klinikës së Infektivës në QKUK, Dr. Hamdi Ramadani, ka bërë të ditur se për 48 orë janë paraqitur 16 persona, numër ky i vogël në krahasim me ditët e kaluara, shkruan Gazeta Shneta.
Ramadani ka bërë të ditur se për momentin, të shtrirë në klinikë janë 60 pacientë, por gjysma prej tyre pritet të lirohen në shtëpi deri në fund të javës.
“Fatkeqësisht kemi tre pacientë në gjendje të rëndë. Dy prej tyre janë fëmijë të moshës 1 dhe 2 vjeçare, ndërsa i treti është 37 vjeçar. Fëmijët janë të sëmurë edhe me bronkitit, ndërsa i rrituri është konsumues i madh i duhanit”, ka deklaruar Ramadani.
Fëmijët janë nga Fushë Kosova dhe Prishtina, ndërsa 37-vjeçari vjen nga Vushtrria.
Sëmundja e fruthit në Kosovë është shfaqur që nga muaji qershor, ndërsa deri më tani në Klinikën e Infektivës janë trajtuar mbi 150 pacientë.
Fruthi pati edhe pasoja fatale, pasi 2 pacientë ndërruan jetë në këtë klinikë. Njëri prej tyre ishte fëmijë 15 muajsh.
Ramadani konsideron se sëmundja e fruthit do të shënoj rënie edhe më tutje. Ai thotë se kjo epidemi zhduket brenda 4 deri në 6 muaj. /Gazeta Shneta/