Asistentja në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë, Dr. Teuta Bicaj të martën ka dhënë dorëheqja nga pozita e asistentes në lëndën Protetikë Stomatologjike në Universitetin e Prishtinës.
Ajo në një njoftim ka thënë se arsyeja që ka marrë këtë vendim është mos avancimi i mëtutjeshëm.
“Ju njoftoj se, jap dorëheqje nga pozita e asistentit, nga lënda Protetikë Stomatologjike në Universitetin e Prishtinës. Arsyeja: Mendoj se 26 vjet përvojë në Universitet, studimet themelore me notë mesatare të lartë, magjistratura shkencore, doktoratura, specializimi, punimet e shumta, libri i përkthyer për studentët, shumë trajnime profesionale e shkencore, do t’ishte dashur të ktheheshin së paku në formë të avancimit tim të mëtutjeshëm”, ka shkruar Bicaj, transmeton Gazeta Shneta.
“Gjithashtu, numri shumë i madh i studentëve, numri shumë i vogël i asistentëve, bashkë me hendekun e krijuar ndërmjet arsimit dhe shëndetësisë më bëjnë që, si asistente të mos mund të ofroj maksimumin tim për thirrjen asistent”, ka thënë ajo në letrën e dërguar dekanes së FM, Suzana Manxhuka-Kërliut.
Bicaj beson se gjatë punës së saj nëpër “shtëpi private” e deri më sot nuk i ka zhgënjyer asnjëherë studentët e saj.
“Jam krenare për gjithë punën time në universitet, gjatë gjithë këtyre viteve, dhe përkontributin e dhënë për mbarëvajtjen e mësimit qysh në kohën e mësimit nëpër ‘shtëpi private’ e deri më sot. Besoj shumë se edhe studentët e mi, gjenerata të tëra, nuk i kam zhgënjyer dhe kam qenë maksimalisht korrekte me ta”, ka shkruar ajo. /Gazeta Shneta/