Personeli mjekësor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, i kanë shkruar një letër Drejtorit të SHSKUK-së ku shprehin përkrahjen e tyre për drejtorin e sapozgjedhur Dr. Jakup Ismaili. Ata e kanë quajtur “telenovelë” procesin e konkursit, ndërsa kanë thënë se klinikat më të suksesshme udhëhiqen nga drejtorë që nuk janë staf akademik
Personeli mjekësor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK e kanë ndërmarr një iniciativë të pazakontë. Ata kanë nënshkruar një letër të përbashkët ku shprehin përkrahjen e tyre për përzgjedhjen e Dr. Jakup Ismailit në pozitën e drejtorit të Klinikës. Këtë letër ata ia kanë dërguar drejtorit të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiut, shkruan Gazeta Shneta.
Letra e personelit të Gjinekologjisë vjen pas ankesave të kundërkandidatëve për përzgjedhjen e Ismailit në këtë pozitë. Ata po pretendojnë për parregullësi në konkurs, pasi Ismaili mban vetëm titullin e specialistit derisa kundërkandidatë të tjerë kanë tituj Asistent, Doktor Shkence dhe Magjistër. Por sipas Kryetarit të Komisionit Përzgjedhës, Dr. Fakir Spahiu, të gjithë kandidatëve iu janë llogaritur pikët sipas titujve shkencor dhe akademik, por përzgjedhja është bërë bashkë me pikët e testit dhe intervistës.
Ndërkaq në letrën e personelit mjekësor të cilën e ka siguruar Gazeta Shneta, janë nënshkruar 36 kolegë të Ismailit të cilët po pretenojnë se ai e meriton këtë pozitë. Për këtë pretendim ata kanë dhënë edhe arsyet duke shkruar se ai ka përvojë menaxheriale, zotëron kompetenca të plota profesionale si dhe ka përkrahjen e shumicës së personelit.
“Avantazhet e kandidatit Dr. Jakup Ismaili që ne e mbështesim për drejtor të KOGJ janë: Përvoja menaxheriale, zotërimi i kompetencave të plota profesionale dhe përkrahja apo mbështetja e personelit mjekësor”, thuhet në këtë letër.
Tutje theksohet përvoja menaxheriale e Ismailit si shef i Zyrës së Pranimit në KOGJ, tetë vite si udhëheqësi ekipës kujdestare, etj, ndërsa thuhet se kryen të gjitha operacionet kirurgjike gjinekologjike dhe obstetrike dhe është njëri nga mjekët me numrin më të madh të intervenimeve kirurgjike.
“I nderuar z. Dr. Sejdiut nga raportet e punës dhe praktika në terren është parë që në të vërtetë klinikat më të suksesshme janë ato të udhëhequra nga stafi jo akademik (për arsye të angazhimit të plotë në QKUK), dhe siç e dini edhe ju rreth 80 % të klinikave udhëhiqen nga stafi jo-akademik me mjaft sukses”.
“Besojmë që ka ardhur koha që për interesa personale të mos dëmtohen interesat e stafit dhe pacientëve tanë të cilët meritojnë shërbimet tona më të mira dhe të jepet fund ‘telenovelës’ së zgjedhjes së drejtorit të Klinikës tonë”, thuhet në letër.
Më poshtë e gjeni letrën e plotë dhe nënshkrimet e personelit. /Gazeta Shneta/