Telaku ka ngritur dyshime për mashtrime në konkursin e fundit për drejtorë të klinikave. Ai thotë se testi u përsërit, pasi në të parin dyshon se të “përkëdhelurit” e drejtorit të SHSKUK-së nuk kishin dhënë përgjigje të kënaqshme
Në Qendrën Klinike Universitare janë përzgjedhur drejtorë të katër klinikave në konkursin e fundit. Dr. Zaim Gashi është zyrtarizuar në mandatin e tij të dytë në krye të Klinikës së Gastroenterologjisë pas testit ku kishte fituar 77 pikë dhe intervistës para Komisionit përzgjedhës. Por për përzgjedhjen e tij janë deponuar ankesa në Komision.
Dr. Skender Telaku i cili doli nga testi me 54 pikë, ka ngritur dyshime për mashtrim me testin dhe përshtatje ndaj kandidatëve të caktuar. Në një ankesë që e ka dorëzuar në Komisionin e Ankesave, Telaku e quan konkursin e fundit në QKUK të manipuluar dhe me lëshime, shkruan Gazeta Shneta.
“Është shkelur neni 16 pika 7 e Statutit të QKUK ku shkruan kjartë se në komision përzgjedhës duhet të jetë edhe një i deleguar nga Fakulteti i Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës. Në Komisionin përzgjedhës nuk ka pasur përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë”, ka shkruar Telaku.
“Pas testit të parë na informuan se është anuluar testi. Arsyet nuk ishin të kjarta. Flitej kinse në komisionin përzgjedhës nuk kishte përfaqësues të minoriteteve. Por kjo nuk qëndron sepse anëtarët dhe kryetari i komisionit e kanë pa që nuk ka nga minoritetet dhe nuk është dashur të vazhdojnë më tej”, ka shtuar ai.
Krejt në fund Telaku shkruan se dyshohet që testi është përshtatur për kandidatët e favorizuar nga drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. “Ka fjalë se testet e para janë hedhur në shportë pasi që të “përkëdhelurit” e drejtorit të SHSKUK nuk kishin dhënë përgjigje të kënaqshme”, ka shkruar Telaku në ankesë.
Për shkak të ankesave është pezulluar përkohësisht edhe konkursi në Klinikën e Endokrinologjisë. Ndërkaq në Klinikën e Kirurgjisë Plastike drejtor është zgjedhur Zejnë Buja, në Kirurgji Vaskulare është zgjedhur Hajriz Rudari dhe në Pediatri Drita Telaku Qosaj. /Gazeta Shneta/