Ka rreth tre muaj prej kur Curr Gjocaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së.
Prej atëherë Bordi ende nuk ka hapur konkurs por këtë pozitë që është duke e ushtruar Basri Sejdiu, shkruan sot Koha Ditore. Ani pse ligjërisht ushtrues detyre një zyrtar mund të jetë vetëm tre muaj.
Por në këtë rast kjo do të zgjasë më shumë për shkak që SHSKUK-ja as nuk e ka në plan që këtë vit të nisë procedurë për përzgjedhjen e menaxherit të këtij institucioni.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në një përgjigje për gazetën kanë thënë se nuk e dinë se kur do të hapet konkursi.
Curr Gjocaj kishte dhënë dorëheqje me arsyetimin se nuk ka përkrahje dhe as buxhet për të avancuar tutje shëndetësinë.
Por ky veprim i tij kishte ardhur nga presioni pas vdekjes së tre pacientëve në rrethana ende të pasqaruara. Vdekjet janë duke u hetuar edhe nga prokuroria e shtetit, ndërsa pritet të zbardhen edhe analizat toksikologjike nga obduksioni.