SHSKUK-së do t’i kushtojë afër 100 mijë euro studimi i fizibilitetit për sterilizim dhe dializë, me konzorciumin e kompanive ku ka punuar Dardan Parduzi – tani shef në administratën e SHSKUK-së, si dhe pjesë e këtij konzorciumi është kompania e ish-zv.ministrit shqiptar të shëndetësisë Klodian Rrjepaj, i dyshuar nga Prokuroria shqiptare për dhënien me koncesion të dializës dhe sterilizimit në QSUT
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është duke planifikuar privatizimin e shërbimit të sterilizimit dhe dializës. Për ta bërë këtë, SHSKUK ka kontraktuar një konzorcium për të kryer fillimisht një studim fizibiliteti i cili do t’i kushtojë afër 100 mijë euro. Kontratën për këtë studim e ka fituar konzorciumi i kompanive ‘Deloitte Kosova’, ‘Deloitte Albania shpk’ dhe ‘Health Protection International’, shkruan Gazeta Shneta.
Me kompaninë ‘Deloitte Kosova’ ka lidhje Dardan Parduzi, zyrtar i lart i SHSKUK-së. Parduzi është punësuar në administratën e SHSKUK-së në pozitën Shef i Kontraktimit të shërbimeve për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore pas marrjes së Ministrisë së Shëndetësisë nga PDK me ministër Uran Ismaili. Ndryshe Parduzi njihet si njëri i afërt edhe me kryetarin e PDK-së Kadri Veseli.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga Parduzi nëse vazhdon të ketë marrëdhënie pune me ‘Deloitte’, ku më parë kishte punuar si analist financiar. Parduzi dhe zyrtarët e QKUK-së nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje. Njësoj ka vepruar edhe kompania ‘Deloitte Kosova’ si dhe përfaqësuesi i tyre Gëzim Gjikolli, të cilët nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Në anën tjetër, pronar i kompanisë ‘Health Protection International’, e cila është pjesë e konzorciumit, është ish-zëvendësministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj. Ky i fundit ka qenë pjesë e MSH-së në Shqipëri kur është dhënë me koncesion shërbimi i dializës dhe sterilizimit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Rrjepaj ka qenë njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues të ofertave dhe i njëjti ishte marr në pyetje nga Prokuroria shqiptare në vitin 2016 pas dyshimeve për dallavere me kompanitë që kishin fituar.
Dyshimet më të mëdha lidheshin për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjike me vlerë 100 milionë dollarë, kanë raportuar mediat shqiptare. Rasti ishte mbyllur nga Prokuroria disa vite më vonë. Ndryshe Rrjepaj e ka themeluar kompaninë e tij në vitin 2018.
Zyrtarët e QKUK-së nuk kanë pranuar të japin sqarime dhe as të përgjigjen për lidhjet e konzorciumit me Rrjepajn. Ndonëse e kanë nënshkruar kontratën, zyrtarët e QKUK-së thonë se shpresojnë që këto kompani do të kryejnë punë profesionale në mënyrë që të planifikohet në mënyrë afatgjate për këto dy shërbime.
“Zyra për informim ju njofton se SHSKUK, ka iniciuar tender për studim fizibiliteti për të shqyrtuar përparësitë eventuale të inicimit të procesit të bashkëpunimit publiko-privat për shërbimin e hemodializës dhe sterilizimit”.
“Shumicën e pyetjeve tuaja, duke përfshirë edhe vlerësimin e investimeve dhe ligjshmërinë, presim t’i qartësoj studimi. Për informimin tuaj, tenderi për fizibilitet për këto dy shërbime ka qenë i hapur dhe është publikuar dy herë, pasi që herën e parë nuk ka pasur kompani të interesuara. Rezultati i studimit nuk mund të prejudikohet para se studimi të përfundojë”, thuhet në përgjigjet e QKUK-së. /Gazeta Shneta/