Federata e Sindikatave të Shëndetësisë sot ka udhëtuar për një ekskursion në Shqipëri.
Kryetarja e Federatës, Tevide Imeri, thotë se një organizim i tillë është bërë duke respektuar rregulloren e sindikatave të shëndetësisë.
“Janë vendimet për shpenzim të mjeteve. E kemi rregulloren kështu që organizimi është bërë në harmoni me rregulloren. Secila shoqatë sindikale e ka autonomin me menaxhu me 60 përqind të mjeteve që ju kthehen nëpër shoqata”, theksoi ajo në një prononcim për Gazetën Shneta.
Ndërsa sa i përketë ndërprejes së shërbimeve ndaj pacientëve në Klinikat dhe Spitalet Regjionale, Imeri potencon se secila shoqatë e ka menaxherin e saj dhe në bazë të menaxhmentit përcaktohet edhe numri i stafit se sa lejohen të bëhen pjesë e ekskursionit.
“Nuk e di (nëse janë ndërpre operimet elektive). Menaxhmenti është partner social me kryetarët e sindikatave dhe ne e dim që bëhet në harmoni me këtë, se sa punëtorë duhet me lëshu vendin e punës dhe sa me qëndru aty, gjithçka bëhet në marrëveshje me menaxhmentin e klinikës përkatëse”, nënvizon ajo.
Në anën tjetër, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka konfirmuar se një organizim i tillë nuk e ka penguar procesin e shërbimeve ndaj pacientëve.
“ShSKUK konfirmon se nuk është penguar procesi i punës në klinika, përfshirë edhe punët elektive”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për Gazetën Shneta.
Ekskursione të tilla organizohen çdo vit. /Gazeta Shneta/