Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u konfirmua një rast pozitiv me koronavirus i cili ishte duke qëndruar në Klinikën Emergjente në QKUK për rreth 24 orë
Gazeta Shneta ka mësuar se pacienti (1961) herën e parë ishte kontrolluar në Emergjencën e QKUK-së më datën 1 prill, ndërsa është paraqitur sërish herën e dytë në Emergjencë të premten më datën 3 prill pasi kishte kërkuar ndihmë për probleme shëndetësore të kokës dhe pritej triazhimi i tij.
Pasi i është kryer një CT e toraksit, është dyshuar për Covid-19 dhe është kërkuar të testohet në laboratorin e mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar. Pas konfirmimit pozitiv, pacienti mbrëmë rreth orës 23:00 është dërguar në Klinikën Infektive në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.
Burimet e sigurta kanë treguar se pacienti ka qëndruar në Emergjencë për rreth 24 orë, por Gazeta Shneta nuk ka arritur të marr përgjigje nga zyrtarët e klinikës nëse dyshohet për kontaminim të stafit mjekësor, përkundër përpjekjeve për të kontaktuar me drejtorin Dr. Basri Lenjani.
Menaxhmenti i QKUK-së i ka thënë Gazetës se hapësira e Emergjencës është dezinfektuar pasi pacienti është konstatuar pozitiv. “Ju njoftojmë se konform rekomandimeve dhe udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, menjëherë është bërë dezinfektimi i hapësirave të Klinikës Emergjente”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Kujtojmë se në Kosovë janë të prekur 140 persona me koronavirus Covud-19, 23 prej tyre janë shëruar ndërsa deri më tani të paktën është shënuar 1 viktimë. /Gazeta Shneta/