Inspektorati Shëndetësor e ka gjobitur me 13 mijë euro laboratorin ‘Preventiva’ në Skenderaj për shkak të disa shkeljeve të evidentuara gjatë inspektimit.
Inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor zbarkuan në laboratorin ‘Preventiva’ me mbështetjen e njësitit për krime ekonomike nga rajoni i Policisë në Mitrovicë më datën 20 tetor të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Kryeinspektori Shaban Osmanaj ka konfirmuar për Gazetën se pas analizimit të të gjeturave, ‘Preventivës’ i është shqiptuar gjoba në vlerë 13 mijë euro. “Pas analizimit të të gjeturave është shqiptuar gjobë në vlerë prej 13.000.00 (trembëdhjetë mijë ) euro duke gjobitur, institucionin dhe punëtoret shëndetësor”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai ka bërë të ditur se gjatë inspektimit janë konstatuar shumë shkelje ligjore si “në kohën e inspektimit është gjetur një raport mjekësor (koha e marrjes së mostrës 12:07 dhe koha e rezultatit 15:35), ku Inspektoret kanë qenë në vendin e inspektimit të njejtën datë pra ora 12:10”.
Poashtu Osmanaj ka treguar se rezultatet e testeve PCR, antigjene dhe serologjike nuk ishin evidentuar nga punonjësit e laboratorit në regjistrat e pacientëve. E qytetarët që kishin kryer këto teste, ishin nga diaspora në Gjermani, Zvicër, Amerikë, Belgjikë por edhe nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Poashtu inspektorët kanë konstatuar se biokimisti dhe mikrobiologu nuk ishin në vendin e punës në këtë laborator.
Osmanaj ka thënë se përveç gjobës, laboratori në fjalë është dërguar edhe për vlerësim të licencës në Bordin për Licencim në Ministrinë e Shëndetësisë.
Gazeta ka provuar të marr një sqarim nga ana e zyrtarëve të laboratorit përmes faqes së tyre në Facebook, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/