Ministri në detyrë i shëndetësisë Uran Ismaili dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, janë takuar sot me ç’rast kanë biseduar për ndihmën e shtetit gjerman për funksinalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ekspertë nga Gjermania pritet të vijnë në Kosovë për të ndihmuar funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Kjo përkrahje e shtetit gjerman do të vijë pas marrëveshjes që ministri Ismaili pati nënshkruar me homologun e tij Jens Spahn, shkruan Gazeta Shneta.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës dhe Fondi i Sigurimit Gjerman AOK pritet të nis në janar të vitit 2020.
“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas Ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.
Në anën tjetër ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, është shprehur i kënaqur me rezultatet e marrëveshjes ndërmjet dy ministrave.
“Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët”. /Gazeta Shneta/