Me ftohjen e motit, çdokush është më i prirë për t’u ftohur. Një gjendje e cila shpesh prek fëmijët e vegjël gjatë zhvillimit foshnjor është dhimbja e fytit.
Kjo gjendje zakonisht shkaktohet nga një prej këtyre tre sëmundjeve: infeksion i sipërm respirator, faringjit viral (pezmatim i fytit si pasojë e ndonjë infeksioni viral) ose faringjit streptokokal (infeksion i fytit me baktere streptokoke).
Në rastet më të rënda mund të paraqitet tonsiliti, që nënkupton pezmatim të bajameve si pasojë e ndonjë invadimi të virusit ose baktereve. Derisa disa prej këtyre gjendjeve mund të menaxhohen në shtëpi ose nën mbikëqyrjen e pediatrit, të tjerat kërkojnë shtrim në spital. Por, shtrohet pyetja se si mund ta dinë prindërit e rinj se çfarë duhet të bëjnë në rastin e dhimbjeve të fytit?
Kur foshnja juaj është ende nën dy vjet, mund të jetë vështirë për të të tregojë se vuan nga ndonjë infeksion i rrugëve të sipërme respiratore. Nga shenjat të cilat tregojnë se duhet ta vizitoni mjekun është edhe refuzimi për të ngrënë ushqimet që ai/ajo kënaqet duke i ngrënë normalisht ose qan gjatë ngrënies. Për fëmijët më të moshuar të cilët mund të komunikojnë me ju, është e lehtë t’i pyesësh se si e kanë fytin.
Infeksionet me streptokok
Një baktere shumë e ngjitshme për të cilën individët e moshës nga 5 deri në 15 vjeç janë të prirë ta marrin janë streptokokët e grupit A, të njohur në përgjithësi si streptokokë. Së bashku me dhimbjen në fyt kjo sëmundje infektuese shkakton edhe simptoma si kokëdhimbje, dhimbje abdominale, nauze (mundim për vjellje) dhe puçrra të kuqe të temperaturës.
Kollitja, hunda e rrjedhje dhe sytë e skuqur zakonisht tregojnë se sëmundja nuk është shatuar nga streptokoku, por nga ndonjë virus. Mjeku mund ta testojë praninë e streptokokëve duke zhvilluar një kulturë të baktereve nga mostra e marrë me anë të një tamponi nga fyti juaj. Nëse ajo rezulton pozitive për baktere, mjeku mund t’ju përshkruajë juve antibiotikë.
Infeksionet virale të fytit
Shkaktari më i shpeshtë i dhimbjeve të fytit janë viruset. Sipas Institutit Kombëtar Amerikan të Shëndetësisë, gjendet e tilla shoqërohen me simptoma si mundim gjatë përpirjes, temperaturë, dhimbje në nyja dhe dhimbje ose zgjatje muskulore, nyja të ënjtura limfatike në qafë.
Nëse mjeku diagnostikon pacientin me këtë sëmundje, ai fatkeqësisht nuk mund të trajtohet me barna. Prindërit mund t’u japin fëmijëve gargara me ujë të ngrohtë të kripëzuar gjatë ditës dhe të përdorin barna anti-inflamatore për të lehtësuar simptomat, si mundimet dhe temperaturën. Nëse ajo zgjat më shumë se 10 ditë, prindërit duhet ta kontaktojnë mjekun për vlerësim të mëtejmë.
Ftohja e zakonshme
Një shkaktar tjetër i dhimbjeve të fytit është ftohja e zakonshme. Kjo po ashtu shkaktohet nga një patogjen viral. Njerëzit e prekur mund të përjetojnë bllokim ose rrjedhje hundësh, si edhe kollitje. Në këto raste, simptomat tentojnë të zgjasin për dy javë dhe më pas largohen vetë. Sidoqoftë, gjithmonë është mirë të konsultoheni me mjekun kur simptomat zgjasin apo janë intensive.