Kirurgu i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, është suspenduar nga detyra me urdhër të zyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, pasi që kishte refuzuar ta kryente operacionin e pacientit 19-vjeçar Hysen Ibrahimaj në QKUK, duke i bërë thirrje të shkojë në spital privat.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar vetë zyra e drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.
Suspendimi për kirurgun Fekaj vlen derisa komisioni disiplinor ta hetojë të gjithë çështjen në fjalë.
Ndërkohë, drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Rifat Bajrami, vazhdon të mbetet në komisionin disiplinor pas masave të ndërmarra ndaj tij nga SHSKUK-ja.
“Ju informoj se konform kompetencave ligjore që ka u.d. drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, ka reaguar menjëherë me masa ligjore. Ka dërguar në komision disiplinor dr. Enver Fekaj, kirurg abdominal dhe dr. Rifat Bajrami, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë abdominale. Sot, ka suspenduar përkohësisht nga puna dr. Fekaj sipas legjislacionit në fuqi, deri në një vendim të komisionit disiplinor”, thuhet në përgjigjen e zyrës së drejtorit të ShSKUK-së dhënë Expressit.
Kirurgu Enver Fekaj kishe pranuar para medieve se i kishte kërkuar para familja Ibrahimaj, megjithëse e kishte thënë këtë në formë shakaje.