Studim, agjërimi ndihmon në djegien e yndyrërave

2017-02-28 në ora 18:50

Imitimi i urisë përgjatë pesë ditëve në muaj mund të reduktojë efektin e plakjes si dhe mund të ndihmojë në luftën kundër disa sëmundjeve të caktuara siç është hipertensioni, flasin të dhënat nga një studim i publikuar të mërkurën.

Në një eksperiment me 100 pjesëmarrës, gjysma prej tyre kanë ngrënë normalisht për të shumtën e muajit, mirëpo më vonë ata kanë konsumuar për pesë ditë radhazi ushqim me vlerë mes 700 dhe 1.100 kalori, në atë të cilën shkencëtarët e quajtën “imitim i agjërimit”. Pjesëmarrësit, shumica nga të cilët me mbi peshë, mirëpo jo obezë, përsëritën procesin e agjërimit për gjashtë muaj.

Pjesa tjetër e pjesëmarrësve në eksperiment kanë ngrënë normalisht. Në fund të studimit ka rezultuar se personat në dietë kanë humbur mesatarisht 2.6 kilogramë.

Humbja e peshës nuk ka qenë i vetmi përfitim i tyre pasi shkencëtarët kanë konstatuar edhe uljen e shtypjes së gjakut.

Hulumtimi ka qenë i financuar nga Instituti Kombëtar i Plakjes dhe Instituti Kombëtar për Kancer dhe i njëjti është publikuar në buletinin Mjekësia Shkencore, ndërsa është zbatuar nga shkencëtarët e Universitetit Kalifornia Jugore, shkruan AA.

“Pesha trupore, indeksi i masës trupore, yndyra e përgjithshme, perimetri i belit, presioni sistolik dhe diastolik i gjakut, holesteroli, faktori i rritjes së insulinës, 1 (IGF‐1) dhe proteina C-Reaktive u reduktuan në masë të madhe, në veçanti tek pjesëmarrësit të cilët vuanin nga sëmundjet, ndërsa u shtua masa e muskujve dhe eshtrave”, thuhet në studimin e publikuar.

“Niveli i ulët i IGF-1 ndërlidhet me uljen e rrezikut nga kanceri dhe diabeti. Nuk janë raportuar efekte serioze negative”, thuhet më tej.

Dieta e agjërimit në të cilën konsumohet vetëm ujë ose një sasi shumë e ulët e kalorive, është bërë së fundmi shumë e popullarizuar, por studiuesit paralajmërojnë se këto dieta ekstreme janë të rrezikshme dhe të vështirë për t’u mbajtur.

Ata besojnë se koncepti i “imitimit të urisë” është më i sigurt dhe më i lëhtë për njerëzit në dietë.

Ekipi tani dëshiron të bëjë një studim shumë më të madh, të motivuar nga zbulimi se personat e rrezikuar nga sëmundjet që lidhen me obezitetin kanë pasur përfitimin më të madh.

“Nevojitet një studim më i madh në mënyrë që këto rezultate të replikohen, por ata kanë ngritur çështjen se agjërimi mund të jetë një rrugë praktike për një sistem të shëndoshë metabolik”, kanë shkruar studiuesit.