Miomat e mitrës janë lloji më i shpeshtë i tumoreve të traktit reproduktiv femëror. Deri në moshën 45 vjeçare, rreth 70% e grave do të kenë mioma.
Në shumicën e rasteve, miomat janë të vogla dhe nuk shkaktojnë probleme, por rreth një e treta e grave të cilat kanë mioma, kanë probleme.
Miomat janë më të shpeshta tek gratë të cilat janë mbipeshë. Nuk dihet shkaku se përse miomat zhvillohen dhe rriten në mitër. Dihet se niveli i lartë i estrogjenit dhe progesteronit e stimulon rritjen e tyre. Për këtë arsye, mioma rriten më shumë gjatë shtatzënisë dhe gjatë moshës reproduktive, kurse tkurren dhe zvogëlohen pas menopauzës.
Nëse mioma rritet shumë, atëherë ajo mund të mos ushqehet mjaftueshëm me gjak dhe si pasojë ajo fillon të degjenerojë. Mioma mund të ketë madhësi mikroskopike, por mund të jetë e madhe edhe sa një top i basketbollit. Mund të rritet në pjesë të ndryshme të mitrës:
Në brendi të murit të mitrës – quhet mioma intramurale.
Nën shtresën e brendshme të mitrës (nën endometrium) – quhet mioma submukoze.
Në sipërfaqen e jashtme të mitrës – quhet mioma subseroze.
Disa mioma mund të kenë kërcell dhe quhen mioma me pedunkul. Miomat të cilat rriten në brendi të murit të mitrës ose nën endometrium, e çrregullojnë formën e mitrës.
Simptomat që vuani nga miomat
Simptomat varen nga numri i miomave,nga madhësia e tyre dhe nga vendi që ato kanë në miter. Shpeshherë, miomat, edhepse janë të mëdha, nuk shkaktojnë simptoma. Miomat, veçanërisht ato të cilat gjenden nën endometrium shkaktojnë gjakderdhje të madhe menstruale dhe bëjnë që gjakderdhja të zgjatë më tepër. Si pasojë mund të zhvillohet anemia.
Miomat e mëdha, sidomos ato intramurale mund të shkaktojnë dhimbje në pelvik. Mioma mund ta shtypë fshikëzën e urinës dhe për këtë arsye pacientet kanë nevojë që të urinojnë më shpesh. Miomat mund ta shtypin edhe zorrën e trashë duke shkaktuar kështu kapsllëk. Nëse mioma është e madhe, atëherë edhe barku do të jetë më i rritur. Nëse ka pedunkul, ajo mund të përdridhet dhe mund të shkaktojë dhimbje të mëdha.
Miomat të cilat nuk kishin shkaktuar probleme përpara shtatzënisë, mund të paraqesin problem gjatë shtatzënisë. Problemet janë: aborti, lindja e parakohshme, prezantimi jonormal i bebes dhe gjakderdhja e madhe pas lindjes (hemorragjia postpartale).
Miomat mund të shkaktojnë sterilitet nëse bllokojnë tubat e mitrës ose nëse e çrregullojnë formën e mitrës. Nëse forma e mitrës është e çrregullt, ngjitja e qelizës vezë të fekonduar (implantimi) do të bëhet me shumë vështirësi, e ndonjëherë fare s’mund të ndodhë implantimi.
Diagnostifikimi i miomave
Gjinekologu mund të zbulojë miomën (ose miomat) gjatë ekzaminimit të pelvikut. Për të konfirmuar diagnozën bëhet ekzaminimi me ultrazë me sondë vaginale.
Trajtimi i miomave
Nëse mioma nuk shkakton probleme, atëherë nuk ka nevojë për asnjë trajtim. Mjafton që çdo 6 deri 12 muaj të bëhet ekzaminimi me ultrazë për të parë se mioma a po rritet apo jo. Nëse mioma shkakton probleme, atëherë duhet të bëhet mjekimi. Mjekimi i miomës mund të bëhet edhe me barna, por efekti i barnave është i përkohshëm. Asnjë bar nuk mund të zhdukë miomën përgjithmonë! Mjekimi më i mirë është mjekimi kirurgjikal, kur me operacion hiqet përgjithmonë mioma (ose miomat).
Heqja kirurgjike e miomës mund të bëhet në dy metoda:
1.Miomektomia (heqja e miomave me operacion) mund të bëhet me laparotomi ose me laparoskopi. Miomat submukozale mund të hiqen me histeroskopi. Se cilat nga këto metoda të përdoret për ju varet nga madhësia, nga numri, nga lokalizimi i miomave dhe nga ekspertiza e operatorit.
2.Laparoskopia ka bërë revolucion në gjinekologji për shkak të traumës shumë të vogël, rekonvaleshencës së shpejtë dhe qëndrimit të shkurtër të pacientes në spital. Laparoskopi është një lloj teleskopi përmes së cilit mund të shihet brendia e barkut. Në bark bëhen dy ose tri vrima jo më të mëdha se 1 cm, nëpër të cilat futen instrumentet me të cilat do të kryhet operacioni.
Pasi që vrimat janë shumë të vogla, pacientja nuk do të ketë vragë dhe do ta marrë veten shumë më shpejt sesa pas operacionit klasik laparotomisë (kur hapet barku).
Laparoskopia është shumë efektive dhe shumë e sigurt kur kryhet nga një mjek i trajnuar. Nëse miomat hiqen me laparoskop, kjo për pacientet paraqet një lehtësim, sepse komplikimet janë më të pakta dhe pacientja të nesërmen e operacionit e ndjen veten shumë mirë.
Miomat me pedunkul hiqen më së lehti me laparoskop. Me laparoskop mund të hiqen edhe miomat subseroze, por më së vështiri është që me laparoskop të hiqen miomat të cilat janë të lokalizuara në murin e mitrës (miomat intramurale). Përparësia e heqjes së miomave me laparoskop është se nuk bëhet prerje e madhe në bark. Pacientja mund të shkojë në shtëpi të nesërmen pas operacionit, kurse mund të kthehet në punë pas një jave. / Gazeta Shneta