Gjatë një aksioni në muajin shkurt të këtij viti, Inspektoriati Shëndetësor ka hasur në shkelësit më të mëdhenj të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Rezultati i tyre ishte befasues. Shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji, janë mjekët, raporton Gazeta Shneta.
Shaban Osmanaj nga Inspektoriati Shëndetësor, ka thënë se nga 441 inspektime gjatë shkurtit, shkeljet më të mëdha janë gjetur në të gjitha nivelet e shëndetësisë në vend.
“Për fat të keq institucionet shëndetësore publike janë shkelësit më të mëdhenj të zbatimit të ligjit. Këtë vit kemi gjetur edhe një institucion privat, por nga 441 inepsketime, shkelësit më të mëdhenj janë institucionet shëndetësore publike duke filluar nga niveli tretsor”, ka deklaruar Osmanaj në shënimin e Ditës Botërore pa duhan.
Të zhgënjyer me zbatimin e këtij ligji janë edhe Inspektoriati Sanitar i Kosovës.
Shefi i këtij institucioni, Ibrahim Tërshnjaku, ka deklaruar se ligji nuk po zbatohet nga vet hallka e autoriteteve, e sidomos nga sektori i gjyqësisë.
Kritika të mëdha në drejtim të moszbatueshmërisë së ligjit ka adresuar edhe Shkumin Spahija nga KADS. Ai ka thënë se sot kur janë bërë 4 vite nga miratimi i këtij ligji, ka pësuar regres i madh në zbatueshmëri.
“Të gjithë akterët kanë dështuar të marrin vëmendjen serioze të atyre që janë më lartë në hierkarki. Në vendin tonë duhanpirja sot është një dukuri normale dhe zbatimi i ligjit do ta denormalizonte këtë”, ka deklaruar Spahija.
Ai ka shtuar se sot fëmijët kanë mundësi që të blejnë duhan me 20 cent, pasi ligji nuk po e parandalon një gjë të tillë.
Ardita Tahirukaj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se prevalenca e duhanpirjes në Evropë është më e madhja në krejt botën. Sipas saj, në botë vdesin 7 milionë njerëz nga duhani, ndërsa vetëm në Evropë rreth 1.6 milion.
Ajo ka bërë thirrje që të zbatohet ligji dhe të ndërmerren masa parandaluese për kontrollin e duhanit, pasi përveç shëndetit, kjo do të ndikonte në të mirë edhe në zhvillimin e shtetit. /Gazeta Shneta/