Pacientët me nënshtetësi të SHBA-së dhe të Kanadasë por që nuk janë banorë të Zvicrës, nuk pranohen për trajtim ambulantor dhe spitalor në Spitalin Universitar të Cyrihut
Spitali Universitar i Cyrihut gëzon namin e një qendre elitare spitalore në botë dhe si i tillë, është i kërkuar për trajtim mjekësor të njerëzve nga bota e jashtme. Ata kanë vullnetin të paguajnë shuma të majme për këtë trajtim por është spitali i Cyrihut ai që ia refuzon këtë shërbim një kategorie të të huajve: amerikanëve të veriut.
Kjo, sipas “Sonntagsblick” bëhet nga frika se pacientët nga SHBA dhe Kanadaja mund të kërkojnë dëmshpërblime me shuma të larta parash.
“Pacientët të cilët kanë nënshtetësi të SHBA-së dhe të Kanadasë por që nuk janë banorë të Zvicrës, nuk pranohen për trajtim ambulantor dhe spitalor”, ka deklaruar një zëdhënës i spitalit për gazetën. Kjo bëhet sepse spitali sheh veten të rrezikuar nga kërkesa për dëmshpërblim që mund ta bëjnë ata në rast të ndonjë komplikacioni gjatë trajtimit mjekësor. Kjo rregullore është valide prej disa vitesh dhe ajo rishqyrtohet periodikisht.
Por, ka shtuar zëdhënësi, kur është fjala për pranimin emergjent në spital, nuk bëhet dallim në mes të nacionaliteteve, të gjithë trajtohen si pacientë të barabartë.