Spitali “Bahceci” keqpërdor foshnjat dhe kundërligjshëm reklamon IVF-në

2018-05-17 në ora 15:38

Spitali privat “Bahceci” vazhdimisht bënë marketing me frytnimin e asistuar mjekësor si dhe keqpërdor numrin e foshnjave të lindura nëpërmjet kësaj procedure. Kjo gjë ndalohet me Udhëzimin Administrativ 06/2013, i cili parasheh edhe dënimin prej 15 mijë eurosh dhe 3 vjet heqje licence

“Realizoni ëndrrën tuaj për t’u bërë prindër me IVF”, është kjo reklama e spitalit privat “Bahceci” në Pishtinë, që vazhdimisht shfaqet në rrjetet sociale si video e sponsorizuar në rajonin e Kosovës. Po të klikoni në këtë link, ju shfaqet një dritare ku kërkohen të dhënat tuaja si emri, mbiemri dhe numri i telefonit.

Ndërsa në krye të kësaj dritareje ju buzëqesh një nënë duke mbajtur një foshnje në krah: Në 21 vite 40.000 foshnje të shëndosha. Kjo reklamë e këtij spitali me foshnja sikur ato të ishin mall i prodhuar në fabrika, është vetëm një nga format e marketingut që i kryen “Bahceci”, shkruan Gazeta Shneta.

 

E kjo poashtu është vetëm një nga format që sanksionohen me ligj, por që spitalin turk nuk e pengon askush. Udhëzimi Administrativ 06/2013 për Frytnim të Asistuar Mjekësor, ndalon reklamimin e këtyre reklamave, për të cilat madje parasheh edhe masa ndëshkuese me 15 mijë euro apo 3 vjet heqje licence.

Megjithatë, zyra për media e këtij spitali thotë se e gjithë veprimtaria e tyre është në përputhje me ligjin. “Ju bëjmë me dije se Spitali jonë ushtron aktivitetin në fushën e mjekësisë konform dhe duke zbatuar çdo ligj dhe rregull administrativ lidhur me shëndetësinë në Republikën e Kosovës dhe më gjerë”, thuhet në një përgjigje për Gazetën.

Por ndryshe mund të konstatohet nga Neni 52 i UA-së. Pika 1 ndalon institucionet shëndetësore që të publikojnë informata për ofrimin e shërbimeve për FAM ose IVF.

“2. Ndalohet çdo formë tjetër e reklamimit, sponsorimit dhe ofrimit publik të informatave të cilitdo lloj dhe me cilindo mënyrë të plasimit që kanë për qëllim joshjen dhe manipulimin e opinionit publik”.

Pika 2.2 tekstualisht ndalon reklamimin e nivelit të suksesit të fekondimit in vitro, gjë që “Bahceci” e bënë me numrin e bebeve dhe fotografitë e tyre të postuara në Facebook.

 

 

“2.2 deklarimet për nivelin e suksesit të FAM”; “2.4 thirrja në emra të përveçshëm të ekspertëve që ofrojnë këtë shërbim në institucionet e licencuara”; “2.5 çdo formë tjetër e reklamimit, sponsorimit, apo marketingut që bie ndesh me dispozitat e këtij akti dhe akteve tjera juridike në fuqi”, thuhet në Nenin 52. Ndërsa në rast shkeljeje, Neni 53 parasheh dënimin prej 15 mijë eurosh në para dhe 3 vjet heqje licence.

Marketingu për IVF u keqpërdor, prandaj u ndalua

Njëri nga hartuesit e këtij Udhëzimi Administrativ, Dr. Shefqet Lulaj, ka thënë për Gazeta Shneta se marketingu për IVF është ndaluar në vitin 2013 për shkak se ishte keqpërdorur në atë masë saqë edhe autobusët ishin mbuluar me reklama të tilla.

“Në atë kohë ka qenë një situatë kaotike dhe nuk ka pasur asnjë udhëzim për të. Keqpërdorej shumë dhe reklamat vendoseshin nëpër autobusë e qytet. Prandaj ka qenë kjo një arsye pse është ndaluar afirmimi dhe reklamimi i këtij procesi. Kjo ka mbetur ashtu dhe çdo lloj marketingu është i ndaluar”, ka deklaruar Lulaj.

Ai thotë se shpërndarja e informacioneve për IVF-në nuk është e ndaluar vetëm brenda institucionit të licencuar, por jo më gjerë. “Në Facebook mund të jepen informata lidhur me trajtimin e infertiliteti bashkëshortor, por pa përmendur IVF ose frytnimin e asistuar mjekësor. Sepse trajtimi i infertiliteti nuk nënkupton automatikisht vetëm IVF-në. Prandaj reklamimet tjera me këtë udhëzim janë të ndaluara”, ka deklaruar Lulaj. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *