Spitalet private në Maqedoninë e Veriut po e shfrytëzojnë mjaft mirë situatën e krijuar pas bastisjeve të Policisë së Kosovës në tri spitale private ku kryhet IVF.
Policia bastisi brenda një muaji tri institucione private në Prishtinë ku kryhet shërbimi i frytnimit të asistuar mjekësor nën dyshimet për transplantim të jashtëligjshëm të organeve dhe qelizave. Nën këto dyshime u arrestuan disa persona, shkruan Gazeta Shneta.
E një spital turk në Maqedoninë e Veriut ka filluar ‘ofenzivën’ për ta shfrytëzuar këtë situatë duke bërë marketing në rrjetet sociale për të mbledhur çiftet kosovare që akoma nuk kanë mundur të bëjnë fëmijë.
Ky spital po i josh çiftet me oferta promocionale për IVF, njëjtë sikurse bëjnë marketing edhe qendrat tregtare.
Kujtojmë se marketingu me IVF në Kosovë është i ndaluar me ligj. Madje gjoba për shkelje të Udhëzimit Administrativ shkon deri në 50 mijë euro dhe tri vjet heqje të licencës për këtë shërbim.
Se spitalet private në Maqedoni mund të kenë ndikim në panikun që është krijuar pas bastisjes së klinikave në Prishtinë, kanë raportuar edhe mediat më herët. /Gazeta Shneta/