Mjekët specialistë të QKUK-së e kanë për detyrë që t’iu përgjigjen thirrjeve të klinikave për konsulta, por shpeshherë këtë nuk e bëjnë duke i lënë pacientët të vuajnë duke pritur
Adrian Kabashi, 32 vjeç, i lindur me Sindromën Down, vdiq para një muaji. Motra e tij, Adriana, ka përshkruar një ditë qëndrimi në Emergjencën e QKUK-së, kur vëllait i ishte përkeqësuar gjendja.
Ajo tregon se për trajtimin e Adrianit, mjekja kujdestare kishte ftuar një kardiolog dhe një pulmolog për konsulta. Ky i dyti edhe pas gjashtë orësh qëndrimi nuk i ishte përgjigjur thirrjes, shkruan Gazeta Shneta.
Një tjetër pacient që ishte shtrirë në Klinikën e Neurologjisë si pasojë e sulmit në tru, kishte nevojë të trajtohej edhe nga endokrinologu pasi vuante nga sëmundja e diabetit. Personeli i Neurologjisë kishin thirr një specialist të kësaj sëmundje, por ai nuk erdhi edhe pasi pacientit iu ngrit sheqeri në nivelin më të lartë.
Kështu mjekët specialistë në shumë raste nuk iu përgjigjen thirrjeve të klinikave për konsulta. Ndonëse e kanë për obligim edhe me kontratën e punës, specialistët nuk ia prishin rehatinë vetes për të shkuar deri te klinika te e cila është ftuar.
“Bazuar në kontratën e punës, në të cilën specifikohen detyrat dhe përgjegjësitë e punës, secili specialist e ka për obligim të kryej edhe konsultat specialistike në klinika. Drejtoria e SHSKUK, nuk ka pranuar ankesa nga klinikat e QKUK-së”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Drejtorit të SHSKUK-së, për Gazeta Shneta.
Kjo zyrë thotë se në rast të mosrespektimit të kësaj detyre, sipas Ligjit të Punës janë të parapara edhe masat disiplinore.
SHSKUK thotë se është bërë thirrje e vazhdueshme që një gjë e tillë të respektohet.
“Edhe në takime të vazhdueshme me klinikat që ka pasur drejtori i përgjithshëm, është kërkuar që të drejtorët të përcjellin këtë tek specialistët dhe konsultat të kryhen me kohë, sipas kërkesës së klinikave për konsulta me profile të ndryshme”, thuhet tutje në përgjigje.
Ndonëse është bërë thirrje dhe parashihen masa, specialistët vazhdojnë të mos e respektojnë këtë detyrë dhe të mos ndëshkohen në asnjë rast. /Gazeta Shneta/