Specialistët e Mjekësisë qe tre muaj nuk i kanë marrë pagat e tyre nga Ministria e Shëndetësisë përderisa specializantët janë pa paga qe katër muaj, përkatësisht qe 7 muaj. Ministria vonesat e procedimit të pagave i arsyeton me mosrishikimin e buxhetit të shtetit me kohë.
V.SH. në gusht të këtij viti ka nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë për t’u punësuar si mjeke specialiste në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por qe tre muaj nuk ka marrë pagë nga ky institucion shtetëror.
Njëjtë si ajo edhe dhjetëra specialistë të tjerë janë në pritje të pagave, ndonëse shumë prej tyre udhëtojnë nga qendra të ndryshme të vendit, shpenzime këto që vështirë po arrijnë t’i mbulojnë derisa nuk po paguhen për punën që e bëjnë, shkruan “Zëri”.
Ministria e Shëndetësisë muaj më parë kishte shpallur konkurs për pranimin e 220 mjekëve specialistë, i cili vendim u mor pas protestave dhe presionit të mantelbardhëve që e kanë kryer specializimin dhe kërkonin punësim në institucionet publike.
Përpos specialistëve, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka paguar as specializantët e Mjekësisë.
Specializantët e performancës, të cilët vite më parë i kishte futur në listë të pagave me vendim të ish-ministrit Ferid Agani, janë qe katër muaj pa paga, pasi që nga qershori i këtij viti nuk janë paguar për angazhimin e tyre, përderisa specializantët që vijnë nga institucionet private të shëndetësisë qe 7 muaj nuk kanë marrë paga nga shteti, ndonëse kontratat me Ministrinë i kanë nënshkruar në mars të këtij viti.