Spahn për Gazetën Shneta tregon kur do të fillojë punësimi i infermierëve kosovarë në Gjermani

2019-12-02 në ora 17:00

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn ka deklaruar se brenda 6 muajsh do të përfundojë procesi i përgatitjes së procedurave për aplikimin e punëtorëve shëndetësorë nga Kosova për në Gjermani.

Në një video ‘live’ në faqen e tij zyrtare Spahn i është përgjigjur pyetjes së Gazetës Shneta lidhur me procedurat, njohjen e diplomave dhe numrin e infermierëve që do të punësohen në Gjermani.

Spahn ka deklaruar se janë duke punuar që procedura të jetë sa më e lehtë dhe e shpejtë për kandidatët.

“Jemi duke punuar që procesin e aplikimit ta bëjmë më të shpejtë dhe më të lehtë për ata që do të kandidojnë dhe mund të them që më së shumti brenda 6 muajsh secili do të mund ta dijë nëse do të pranohet apo jo”, ka deklaruar Spahn.

Ai ka thënë se do të mirëpresin të gjithë infermierët që duan të shkojnë në Gjermani, por ata duhet ta njohin gjuhën gjermane.

“Ata që duan të punësohen në vendin tonë duhet ta mësojnë edhe gjuhën tonë, ndryshe ata që e flasin gjuhën do ta kenë më të lehtë. Ne do të pranojmë të gjithë infermierët që duan të vijnë në Gjermani. Nuk ka asnjë limit dhe do t’i mirëpresim të gjithë”, ka deklaruar Spahn për Gazetën Shneta.

Pas vizitës së tij në Kosovë, Spahn është duke lobuar në Gjermani për lehtësimin e procedurave për të rinjtë kosovarë, kryesisht studentë të mjekësisë dhe infermierë, për t’i punësuar në vendin e tij. Por këto veprime të tij janë kritikuar nga opozita gjermane të cilët e kanë akuzuar se po kërkon të punësoj kuadro nga sektori i shëndetësisë në Kosovë. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *