I gjithë programi i operacioneve në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ka rënë. Kjo për shkakun se ka mungesë të medikamentit Fentanyl.
Gazeta Shneta ka mësuar se në Gjinekologji fentanyli po përdoret vetëm për lindjet cezariane dhe rastet e rënda emergjente. Fentanyli është bar i cili qetëson dhimbjet gjatë operacioneve.
“Nuk kemi fentanyl të mjaftueshëm dhe jemi detyru krejt programin me heq. Pacientet i kemi lëshu të gjitha në shtëpi, iu kemi marr numrat e telefonit dhe kur të furnizohemi do t’i thërrasim”, ka thënë njëri nga doktorët e Gjinekologjisë.
Me mungesë të këtij medikamenti kryesor për intervenime kirurgjike po përballen edhe klinikat tjera në QKUK për shkak të mosfurnizimit nga Ministria e Shëndetësisë.
SHSKUK është duke bërë blerje emergjente në mënyrë që të mos bllokohet i gjithë programi i operacioneve në klinika, e sidomos në Kirurgji dhe Emergjencë. Zyra e Drejtorit të këtij institucioni ka deklaruar se janë në pritje të furnizimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. /Gazeta Shneta/