Situata në Spitalin e Pejës: Drejtori Skender Dreshaj tregon gjendjen e pacientëve

2018-05-16 në ora 13:21

Pas alarmimit për një mjet të dyshimtë i futur brenda një qeseje në Spitalin e Pejës, ka folur drejtori Skender Dreshaj. Ai ka thënë se Policia ka urdhëruar largimin e pacientëve të cilët kanë qenë të vendosur afër këtij objektit të dyshimtë. Por Dreshaj tha se ata po marrin shërbimet mjekësore në mënyrë të zakonshme.

“Diku rreth orës 12, punëtorët e spitalit kanë hetuar një mjet të dyshimtë, një qese najloni me përmbajtje brenda. Sipas procedurave, ata e kanë njoftuar Policinë e cila ka ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes”, tha Dreshaj.

“Pas një ekspertize, ata kanë vlerësuar se bëhet fjalë për një objekt që megjithatë kërkon vlerësimin apo ekspertizën e deminimit dhe konform procedurave standarde, kanë kërkuar nga ne që ta bëjmë evakuimin e pacientëve në një rreze nga objekti i spitalit, procedurë të cilën ne e kemi kryer”, shtoi ai.

Sipas Dreshajt, sa u përket shërbimeve të spitalit, çdo gjë është brenda procedurave normale, “përveç asaj ngarkesës psikike e cila me siguri e ngarkon edhe stafin edhe personelin”.

“Me kërkesë të Policisë janë ndërprerë vizitat dhe jemi në pritje të njësiteve të deminimit”, tha ai.

“Të gjithë pacientët janë mirë, janë të risistemuar dhe janë nën regjimin e protokollit mjekësor të rregullt. Kjo situatë nuk e pengon personelin në ofrimin e shërbimit mjekësor i cili është ofruar deri më tani”, tha Skender Dreshaj. /kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *