Janë bërë rreth shtatë vite që kur ka nisur mbledhja e të dhënave të pacientëve në Sistemin e Informimit Shëndetësor. Por ky sistem nuk është duke funksionuar dhe kjo është pranuar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Përveç se nuk po funksionon, zyrtarët e SISH-it nuk po kujdesen fare për të dhënat personale të pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.
Çdo kush mund të shkojë në bodrumin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK dhe të shoh gjendjen e mjerueshme ku ruhen fletëzat e Sistemit të Informimit Shëndetësor. Ato janë hedhur në një çosh në bodrum, fare afër zyrës së SISH-it në këtë klinikë.
Fletëzat që mbajnë data para vitit 2018, kanë filluar të kalben nga lagështia. Ato nuk janë vendosur në ndonjë ambient ku do të sigurohej fillimisht mirëmbajtja e tyre dhe informacionet private të pacientëve.
Me këtë gjendje është shkelur edhe Udhëzimi Administrativ Nr.11/2013 Sistemi i Informatave Shëndetësore dhe Raportimi i të dhënave Statistikore Shëndetësore.
Në nenin 10 Konfidencialiteti dhe Fshehtësia kërkohet që “Të gjithë punëtorët e institucioneve shëndetësore janë të obliguar për ruajtjen e konfidencialiteti dhe fshehtësisë së të dhënave të klientëve të tyre”.
Poashtu sipas këtij udhëzimi, Drejtori i Institucionit Shëndetësor duhet të kërkojë nga Shefi i Njësisë së SISH “raport javor për Formularët e shpërndarë, të plotësuar në mënyrë jo të rregullt, të dëmtuar, si dhe numrin e shpërndarjes dhe kthimin e tyre për regjistrim në data-bazë”.
Udhëzimi kërkon garantimin e konfidencialiteti dhe fshehtësinë e plotë të të dhënave të mbledhura.
Asnjëra nga këto nene të këtij udhëzimi nuk janë zbatuar, duke u bazuar në gjendjen e formularëve në bodrumin e Gjinekologjisë.
Ministri Uran Ismaili ditë më parë ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ku ka thënë se SISH-i është duke hasur në pengesa të mëdha. Ai nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet të funksionalizohet tërësisht ky sistem. /Gazeta Shneta/