Shoqata Sindikale e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë kanë bërë një kërkesë zyrtare në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, për rritjen e koeficientit për këto kategori në ligjin e ri për pagat.
Sindikalistët e infermierisë kanë deklaruar se kërkesa e tyre është e bazuar në Ligjin e Pagave, i cili në nenin 3, pika 1.3 thotë që “Parimi i pagës së barabartë nënkupton që secili përfitues i pagës merr pagë të barabartë për punën me funksion, pozitën apo gradën e njëjtë apo të krahasueshme”.
Në ligjin për paga të miratuar këtë vit, infermierët janë të ndarë në tre grupe: niveli parësor me koeficient 2.2, niveli dytësor dhe tretësor me koeficient 2.25 dhe infermierët e fiziatrisë dhe fiziatër me koeficient 3.2. Për këta të fundit sindikalistët deklarojnë se kanë punën, funksionin, pozitën apo gradën e njëjtë sikurse infermierët dhe profesionistët tjerë shëndetësor.
Shoqata Sindikale e Infermierëve në letrën dërguar Komisionit për Shëndetësi kërkojnë që të respektohet Ligji i punës i cili parasheh që infermierët të paguhen me 30 për qind për ndërrimet e natës, 30 për qind për orët shtesë si dhe 50 për qind për vikendet.
“Poashtu ngritja e koeficientit në 3.2 është me rëndësi të madhe për faktin që tashmë mbi 3 mijë infermierë kanë aplikuar për pozita pune në ambasada të Bashkimit Evropian ku kërkesat për infermierë janë të mëdha”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e drejtuar deputetëve.
Më poshtë e gjeni kërkesën e plotë. /Gazeta Shneta/