Sindikalistët nuk do të heqin dorë nga rritja prej 15 për qind e rrogave. Ata janë në pritje të një përgjigjeje nga kryeministri Isa Mustafa, para se të ndërmarrin hapa radikal për kërkesat e tyre.
Kështu ka deklaruar Sabri Cakaj nga Sindikata, i cili ka shtuar se do t’i japin hapësirë Qeverisë derisa t’i marrin seriozisht kërkesat e tyre.
“Duam të negociojmë për paga, por kryeministri nuk e ka mbajtur premtimin për rritje”, ka thënë Cakaj në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.
Ndërkaq, Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë, ka deklaruar se Qeveria është njoftuar për situatën dhe kryeministri do të jap një qëndrim.
“Kërkesat duhet të jenë racionale. Duhet t’i shohim mundësitë që i ka shteti. Por rrogat duhet me i krahasu me gjendjen në rajon”, ka thënë ai.
Gjatë debatit të zhurmshëm, Cakaj e ka ftuar Sadikun që t’i bashkëngjitet protestës duke i thënë se “nesër mund të të kaloj mandati dhe pastaj do të përballesh me pacientë”. /Gazeta Shneta/