Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka reaguar sërish kundër këshillit nacional të formuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Sindikalistët po konsiderojnë se ky këshill është i kundërligjshëm pasi OIK nuk i ka konsultuar fare sindikatat dhe shoqatat e tjera të infermierëve të lëmive të ndryshme. “Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve shëndetësor konsideron si të kundërligjëshëm të ashtuquajturin ‘Këshill Nacional’ të formuar nga OIK duke pasur parasyshë që OIK nuk ka konsultuar as SHSIMP e as shoqatat e tjera të infermierëve të lëmive të ndryshme aktualishtë ekzistuese në Kosovë”, thuhet në reagim, transmeton Gazeta Shneta.
Sindikalistët thonë se janë pro kategorizimit, mirëpo konsiderojnë se nuk është koha e duhur për këtë çështje pasi thonë se fillimisht duhet të rregullohet koeficienti në Ligjin e Pagave të miratuar këtë vit. Ata i kanë bërë thirrje OIK-ut që të anuloj propozimin e tyre.
“I bëjmë thirrje OIK të anuloj këtë nismë dhe të konsultohen të gjitha palët që në mënyrë direkte janë të lidhura me infermierët si dhe vetë profesionin ashtu që të bëhet i mundur përfaqësimi i drejtë i interesave të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor, deri atëherë këtë këshill e konsiderojmë KLANOR dhe që jep përshtypje të interesave personale”, thuhet në reagim.
Sindikalistët po konsiderojnë se kjo çështje është manipulim për interesa personale, duke aluduar në formimin e këtij këshilli, ndërsa iu kanë bërë thirrje infermierëve që të mos bien pre e mashtrimeve.
“I bëjmë thirrje komunitetit infermier, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor që mos të bien pre e manipulimeve të qarqeve të caktuara që me veprimet e tyre tregojnë qartë qëllimet e tyre personale ndaj atyre profesionale dhe ne të mirë të komunitetit”, thuhet në reagimin e SHSIMP-së.
Kujtojmë se Gazeta Shneta ka raportuar se si Oda e Infermierëve në krye me Naser Rrustemajn ka formuar një këshill nacional të infermierëve i cili kryesohet nga rektorja e kolegjit Heimerer, ndërsa anëtarë janë ligjëruesit në kolegjin AAB si Hysni Bajrami, Lirije Beqiri, Naser Rrustemaj, etj. Ky këshill vendimin e parë e mori që të kërkohet përcaktimi i koeficientit për infermier sipas shkollimit. Ky vendim i këshillit po konsiderohet si i kundërligjshëm nga sindikalistët dhe presion ndaj infermierëve që të regjistrojnë fakultetet në njërën nga kolegjet private.
Ndaj këtij këshilli ka reaguar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë. Kryetari i saj Dr. Blerim Syla e ka quajtur madje skandaloze dhe ndërhyrje të kolegjeve private në çështjet e infermierëve. /Gazeta Shneta/