Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ka pritur sot në takim krerët e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë me të cilët ka biseduar për shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë.
Sindikalistët kanë kërkuar nga Vitia që të formohet grupi për dialog social ku do të diskutohen një sërë çështjesh që e presin ministrin e Shëndetësisë dhe Qeverinë e re, përfshirë Ligjin për Paga dhe Kontratën Kolektive, shkruan Gazeta Shneta.
“Gjatë takimit u diskutuan një sërë temash me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në përgjithësi e punëtorët shëndetësor në veçanti, kushtet e punës, mirëqenia e punëtorëve shëndetësor, Ligji i Pagave, moszbatimi i Kontratës Kolektive Sektoriale, në ndër të tjera palët u dakorduan që në javët në vijim do të funksionalizohet Grupi për Dialog Social nga ana e dy palëve për ti trajtuar të gjitha këto tema veç e veç”, thuhet në njoftim.
Vitia është zotuar se do të angazhohet maksimalisht që punëtorët shëndetësor të trajtohen dinjitetshëm si në aspektin e kushteve të punës dhe të mirëqenies së tyre.
Sindikalistët kanë qenë të përfaqësuar në këtë takim nga kryetari Dr. Blerim Syla, Kryetari i Këshillit Drejtues Dr. Jahir Lajqi, Nënkryetarët Mr. Blerim Delija dhe Dr. Xhemajl Selmani si dhe anëtari i Kryesisë së FSSHK-së Dr. Islam Krasniqi. /Gazeta Shneta/