Fryrja e barkut është një simptomë që shfaqet tek të gjithë ne, ku njëkohësisht priremi ta trajtojmë si një efekt anësor i të ngrënit shumë.
Por, sipas një studimi të ri, të kryer nga Target Ovarian Cancer, 50% e grave që vuajnë nga fryrja e shpeshtë e barkut e konsiderojnë këtë simptomë kryesore të kancerit të vezores si normale dhe, si pasojë, duke mos kërkuar ndihmë mjekësore.
Ekspertët thonë se gratë në vend se të kërkojnë ndihmë mjekësore për fryrjen e shpeshtë të barkut, përpiqen ta trajtojnë atë me kos ose produkte të tjera që mendohet t lehtësojnë tretjen.
“Gratë nuk duhet të rrezikojnë jetët e tyre duke injoruar simptomat e kancerit të vezores. Nëse ato i dinë simptomat e kancerit të vezores dhe mund ta diagnostikojnë këtë sëmundje në kohë, mund të shpëtohen shumë jetë njerëzish”, thotë drejtoresha ekzekutive e organizatës “Target Ovarian Cancer”, Annwen Jones.
Përveç fryrjes së barkut, ka një sërë simptomash të tjera që mund të paralajmërojnë për kancer të vezores. Tri më kryesoret janë:
-Nevoja për të urinuar shpesh
-Dhimbje në pjesën abdominale ose në legen
-Mungesa e oreksit ose ndjesia e ngopjes së menjëhershme
Nëse i keni këto simptoma, do të ishte mirë të bënit një vizitë tek mjeku. Mund të mos jetë asgjë serioze, megjithatë më mirë të jeni të sigurt./Gazeta Shëndeti/