Arben Dreshaj, hoxha i fshtatit Vrellë të Istogut mban shpresa që personi që e la foshnjën e porsalindur në makinën e tij, do të gjindet nëpërmjet kamerave të sigurisë.
“Nuk e kam parë se kush e ka vendosur foshnjën. Janë disa kamera andej përreth, besojmë që me anë të tyre do të mund të identifikohet personi që e la foshnjën aty”, thotë hoxha i fshatit Vrellë.
Në orët e para të mëngjesit, saktësisht në 4:30, hoxha kishte marrë rrugën për në xhaminë e fshatit.
Pasi kishte përfunduar ritualin fetar, ai kishte dal nga xhamia dhe kishte parë një pako në veturë, aty ishte një foshnje e porsalindur.
“Kur dola jashtë pas faljes se namazit, e gjeta një paketë mbi veturën time. Ora ishte 5 e 15 minuta. Kur shikova në paketë ishte një foshnjë e porsalindur e mbështjellë me batanije. Gjallë ishte, frymë merrte pak zënët, por e rëndësishmja ishte gjallë”, ka rrëfyer Hoxha, për Express.
Ai më tej thotë se menjëherë e ka lajmëruar policinë. E, për këtë rast ekipet e policisë thonë se po i vazhdojnë akoma hetimet.
Gjendja e foshnjës sipas raporteve të policisë shihet të jetë stabile.
“Patrullat dhe ekipe mjekësorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas mjekut kujdestar foshnja është në gjendje të mirë shëndetësorë dhe nga ekipi mjekësor është sjellë në QKMF në Istog”, ka deklaruar për Gazetën Express zëdhënësi i polcisë në Pejë Driton Rugova.
Poashtu, lidhur me këtë është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe Qendra për Punë Sociale.
Braktisja e fëmijëve është vepër penale dhe prindërit e bebes mund të dënohen me burgim pse s’janë përkujdesur për fëmijën e tyre.
Kujtojmë që, gjatë vitit 2015 janë braktisur 46 fëmijë, në vitin 2016 ishin braktisur 23 fëmijë, ndërsa vitin e kaluar ishin braktisur 32 fëmijë.