Ka shkuar në 24 numri i punëtorëve që gjetën vdekjen në vendet e tyre të punës. I fundit ishte Krenar Jemini, një 22-vjeçar që ndërroi jetë në vendin e punës në fabrikën “Lab-Oil”.
Për vdekjen e punëtorëve janë akuzuar edhe mjekët e QKUK-së. Në dhjetor të vitit të kaluar ka ndërruar jetë Shefqet Fetahaj, baba i dy fëmijëve. Ai këputi dorën gjatë një aksidenti në vendin e tij të punës. Kolegët e tij menjëherë e kishin dërguar në Spitalin e Pejës dhe më pas në QKUK.
Familjarët patën deklaruar se gjendja e të ndjerit ishte përkeqësuar pasi ishte futur në operacion në QKUK. Xhaxhai i tij, Miftar Fetahaj ka thënë se Shefqeti pas operimit ka mbetur në gjendje kome, ndërsa po shpresonte se gjendja e tij do të përmirësohet.
Nga plagët e marra 42-vjeҫari humbi jetën, ndërsa familjarët po thonë se ai ka shkuar në QKUK me vetëdije të plotë, derisa xhaxhai i tij po hedh dyshimet se diҫka nuk ka shkuar mirë gjatë trajtimit të tij aty.
“Unë shumë po frikësohem se çka kanë bërë brenda mjekët se ai ka shku në spital i fortë. Shokët e tij e kanë ҫu për 20 minuta, me vetëdije ka shkuar, madje ka thënë mos e vozitni makinën shpejtë se mos po bëjmë aksident, shokët e tij e kanë lidhë me rripa mos me ju lëshu gjakderdhja”, kishte deklaruar për Express, xhaxhai i të ndjerit.
“Ai ka shkuar me vetëdije nga Peja në QKUK. Mjeku i ka than se i plotëson të gjitha kushtet për operacion. Shtypja e gjakut ka qenë 130 me 8. Na kemi mendu vetëm për krahun, sepse mjeku e ka pytë djalin e axhës a po don me ja ngjit krahun. Ai ka than po. Tani masanej është keqësu gjendja”, kishte deklaruar ai.
Për këtë rast kishte filluar hetime edhe Prokuroria Themelore e Pejës. /Gazeta Shneta/