Shtatzënitë e padëshiruara sjellin aborte, një fëmijë të paplanifikuar dhe plot probleme të tjera. Prandaj, është i rëndësishëm planifikimi familjar para se të ndodhë një shtatzëni e padëshiruar.
Ekzistojnë metoda dhe kontraceptivë të ndryshëm që ju ndihmojnë të shmangni një shtatzëni të paplanifikuar, në këtë shkrim po ju sjellim se si duhet të përdoren këto metoda dhe efektet anësore që kanë ato në raste të veçanta.
Çka janë kontraceptivët?
Kontraceptivët janë metoda që të mbrojnë nga një shtatzëni e padëshiruar. Quhen edhe metoda të planifikimit familjar. Do të doja këtu të sqaroja termin “kontraceptiv” me “prezervativ”, të cilët shpesh ngatërrohen dhe identifikohen me njëri-tjetrin.
Kontraceptivet janë tërësia e metodave që përdoren për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar, ndërsa prezervativi është vetëm një nga llojet e kontraceptivëve. Kontraceptivet përfshijnë një sërë metodash ku hyn dhe prezervativi, si; pilulat nga goja, DIU (apo tubi, sterileje), injeksionet, prezervativi, lidhja e tubave dhe sterilizimi mashkullor.
Efektet anësore të kontraceptivëve
Është e vërtetë që tek disa gra kontraceptivët mund të japin shqetësime, të cilat ndryshojnë nga një grua tek tjetra. Shqetësimet më të zakonshme janë: marrje mendsh, të vjella, tensionim të gjinjve, të cilat përgjithësisht kalojnë pas 2-3 muajve të parë të përdorimit.
Nëse dikush që fillon përdorimin e kontraceptiveve ka shqetësime nga përdorimi i kontraceptivit që ka zgjedhur, duhet të shkojë tek mjeku për të zgjedhur një metodë tjetër apo për të vendosur së bashku se çfarë duhet të bëjë.
Por, disa prej metodave kontraceptive, madje kanë efekte pozitive për gruan. Kështu, pilulat ulin rrezikun për disa lloje kancerësh femërore. Ato lehtësojnë dhimbjet menstruale dhe pakësojnë humbjen e gjakut menstrual dhe aneminë.
Pilulat mund të pakësojnë aknet (puçrrat). Prezervativi të mbron nga infeksionet seksualisht te transmetueshme, përfshi HIV/AIDS. Kontraceptivët te shumë gra ulin stresin e shkaktuar nga frika e ngeljes shtatzënë, sepse ato e dinë që nuk ngelen shtatzënë, ndërkohë që përdorin pilula.
Metoda më e mirë për t’u përdorur
Kjo varet nga veçoritë dhe preferencat e secilit. Metoda të ndryshme kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Duhet zgjedhur ajo metodë që është më e përshtatshme për secilën. Për ta bërë këtë, duhet qe në fillim kur vendos për të përdorur një metodë kontraceptive, të shkohet tek mjeku për të vendosur së bashku mbi metodën që do të përdoret, që është më e përshtatshme dhe që personi mund të ndihet rehat me të.
Prezervativi është metoda që siguron mbrojtje të dyfishtë, si nga shtatzënia e padëshiruar ashtu dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Të gjitha metodat e tjera të mbrojnë vetëm nga shtatzënia. / Gazeta Shneta