Udhëtimi me një bebe është krejt ndryshe nga udhëtimi me fëmijë më të rritur. Ndryshimi më i madh është se bebet kanë nevojë për ushqime të shtypura dhe në temperaturë specifike, të cilat e bëjnë ushqimin e tyre të vështirë. Gjithsesi, me pak rregullime para dhe pas udhëtimit përpjekjet tuaja do të jenë më të lehta.
Pak ditë përpara udhëtimit përpiqu t’i japësh fëmijës ushqim në temperaturën e dhomës. Kështu nuk do të ketë shumë diferencë, nëse ju nuk mund të ngrohni ushqimin mjaftueshëm gjatë udhëtimit.
Qumështi është mënyra më e lehtë për të ushqyer beben edhe kur është mësuar të hajë ushqime të tjera. Shtoni vakte qumështi pavarësisht nëse ushqeni me gji apo jo. Edhe nëse ushqeni me gji, është ide e mirë të merrni me vete një pako qumësht formulë, për momentet e vështira.
Mbajtja e ushqimeve të shtypura nuk rekomandohet. Gjithsesi, mund të bëni një përjashtim të veçantë. Mund të përgatisni ushqimin me kujdes, duke ndjekur rregullat më strikte të higjenës dhe menjëherë pas gatimit dhe shtypjes, ngrijeni atë në kuba të vegjël, si kubat e akullit. Për udhëtime të shkurtra mund ta merrni me vete në një çantë ftohëse dhe ta shërbeni menjëherë pasi shkrihet.