Testi i doktoratës 2017/2018 në Fakultetin e Mjekësisë është përcjellë me shumë gabime dhe ankesa të studentëve. Një grup i këtyre të fundit po kërkojnë që testi të përsëritet dhe të shtohet numri i kandidatëve të pranuar
Një grup i kandidatëve të Fakultetit të Mjekësisë po e kontestojnë testin e doktoratës 2017/2018. Në disa ankesa që kanë dorëzuar në Komisionin për Ankesa në Rektoratin e UP-së, ata kanë prezantuar disa gabime që kanë përcjellë këtë test.
Grupi i studentëve që kanë aplikuar në drejtimet: Biomjekësi eksperimentale, Shëndet publik, Mjekësi paraklinike, dhe Stomatologji, deklarojnë se testi është karakterizuar me disa probleme. Ata nuk janë lejuar që të dorëzojnë ankesën në Rektoratin e UP-së, ndërsa pohojnë se nuk i ka pranuar në takim as Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, shkruan Gazeta Shneta.
“Testi i provimit pranues i mbajtur nga lënda Metodologjia Kërkimore-Shkencore, të cilën lëndë nuk e kemi patur në kurikulën gjatë studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, dhe në konkurs nuk ceket literatura”.
“Testi i Gjuhës Angleze ka patur pyetje me përgjigje me kuptime ambiguoze, më shumë se një përgjigje të saktë (si p.sh. shumësi i fjalës Condyloma bën Condylomata, por edhe Condylomas; shumësi i fjalës Acetabulum bën: Acetabula, por edhe Acetabulums), por sipas çelësit është pranuar vetëm një përgjigje e saktë”, thuhet në ankesë.
Tutje parashtrohen gabime në renditjen teknike të përgjigjeve, në radhitjen e kandidatëve të pranuar, shtimin e pikëve të kandidatëve, etj.
Në këtë ankesë janë nënshkruar 20 kandidatë: Dr. Genc Shala, Dr. Drita Pazhari, Dr. Valon Hyseni, Dr. Leonard Bytyqi, Dr. Amir Rexhepi, Dr. Besart Merovci, Dile Rrusta, Agon Rrusta, Adelina Musliu, Dr. Driton Parduzi, Adem Hykolli, Dr. Adelina Ahmeti, Dr. Albana Musolli, Vlora Berisha, Enesë Morina, Dr. Verona Radoniqi, Dr. Genc Rukiqi, Dr. Fjolla Shoshi, Dr. Ilir Miftari, Dr. Adhurim Koshi, Dr. Mentor Shatri dhe Dr. Ali Aliu.
Krejt në fund ata kërkojnë që të ritestohen dhe të shtohet numri i kandidatëve të pranuar.
Komisioni i ankesave i përbërë nga Prof. Dr. Gjyle Mulliqi-Osmani, Prof. Dr. Fatmir Dragidella dhe Prof. Dr. Antigona Hasani, ka pranuar se ka radhitur gabimisht në listën e të pranuarve kandidatin Dren Boshnjaku, ndërsa kishte eliminuar gabimisht kandidatin Bardhyl Berisha. Ky gabim është përmirësuar.
Ndonëse ankesat e kandidatëve kanë shkaktuar përmirësimin e disa gabimeve, Komisioni i quan ankesa të pabaza. Madje i sulmon kandidatët duke hedhur dyshime se ata kanë kopjuar gjatë testit.
“Pyetjet e provimit kanë qenë të ndara në grupin A dhe B. Pyetjet për të dy grupet kanë qenë të njëjta për grupin A dhe B por shpërndarja dhe radhitja e tyre ka qenë e ndryshme për të dy grupet. Nëse kandidatët janë munduar me kopju kjo ka mundur që të krijoj konfuzion te kandidatët”, thuhet në përgjigjen e Komisionit, për ankesën në lidhje me konfuzitetin e tesit të MPSH-së.
Tutje Komisioni ka pranuar ankesat e kandidatëve për gabimet teknike që janë bërë në renditjen e përgjigjeve. Në katër raste janë gjetur gabime të cilat i kanë pranuar edhe profesorët.
Komisioni ka hedhur poshtë ankesat e kandidatëve për terminologjinë e përdorur në gjuhën angleze. Krejt në fund është bërë një përmbledhje e përgjigjeve ndaj ankesave, ndërsa nuk është pranuar edhe kërkesa për përsëritje të testit. /Gazeta Shneta/